Tiranë, 25 prill 2014 – “Mësuesja nuk më dha leje që të dilja nga shkolla dhe për këtë arsye tentova të zbrisja nga dritarja e katit të tretë. Nuk kisha për qëllim të vrisja veten”. Kështu mësohet të jetë shprehur 17-vjeçarja Dylbere E., e cila alarmoi mësuesit dhe nxënësit e shkollës së mesme “Aleks Budi” në Laprakë të Tiranës, pasi u hodh nga dritarja e gjimnazit, raporton Noa.

Ngjarja ndodhi rreth orës 12:15 të ditës së sotme, kur Dylbere E., i kërkoi leje mësueses së saj për të dalë nga shkolla. Pasi mësuesja nuk ka pranuar t’i japë leje nxënëses, ajo ka dalë në dritare dhe ka tentuar të zbresë nga kati i tretë për të përfunduar fillimisht në tarracën e katit të dytë me qëllim që të hidhej më pas në tokë. Të resë i kanë rrëshkitur duar duke bërë që të rrëzohet në tarracën e katit të dytë.

Brenda pak minutash pranë vajzës janë mbledhur pothuajse të gjithë mësuesit dhe nxënësit e gjimnazit, të cilët kanë njoftuar edhe urgjencën.

Fatmirësisht 17 vjeçarja shpëtoi me disa lëndime jo shumë të rënda.  

Vajza e re deklaroi para oficerëve të policisë se nuk kishte tentuar të vriste veten dhe as nuk e kishte menduar diçka të tillë, por ishte hedhur nga dritarja për t’u larguar nga shkolla pasi ishte mërzitur në mësim.

Policia tha se po vazhdojnë hetimet për të zbardhur me saktësi këtë ngjarje, ndërsa deklaroi se paraprakisht dyshohet se gjithçka ka ndodhur aksidentalisht.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/