Kriza pandemike e cila i përçoi efektet negative të saj më së shumti në tregun e punës, ka ndikuar negativisht edhe punësimin me kohë të pjesshme kundrejt pagës.

INSTAT raportoi se punojnë me kohë të pjesshme 18% e totalit të të punësuarve, por shumica e tyre janë punonjës pa pagesë në aktivitetet e familjes. Nga 18% e të punësuarve gjithsej raportohen me kohë të pjesshme dhe vetëm 5.6% e tyre marrin pagë. Një vit më parë, në të njëjtën periudhë ata përbënin 8.8% të punësimit total.

Të dhëna të tërthorta që vijnë nga institucionet ndërkombëtare raportojnë se një pjesë e madhe e të vetëdeklaruarve në punë në bizneset e familjes janë informalë. Ata fitojnë të ardhura nga këto aktivitete, po nuk i raportojnë për të shmangur tatimet mbi pagat dhe pagesën e sigurimeve.

Pjesa e punonjësve me kohë të pjesshme në përqindje të totalit të të punësuarve ka ardhur në rënie vitet e fundit, pas një kulmi 28.7% që arriti gjatë vitit 2015, kur një aksion i madh antiinformalitet përfshiu njësitë e vogla të biznesit dhe nxiti regjistrimin e shumë prej tyre që ishin në të zezë. Pas vetëdeklarimeve të larta në këtë periudhë, përqindja e punësimit me kohë të pjesshme pësoi rënie graduale  duke arritur në 18 për qind në fund të vitit që shkoi. Ecuri të ngjashme ka ndjekur edhe punësimi më kohë të pjesshme kundrejt pagës.

Një analizë më e thellë e INSTAT mbi tregun e punës më 2019 tregoi se në vitin 2019, punonjësit e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit përbëjnë 47,3 % të të punësuarve. Nëpunësit dhe punonjësit e shitjeve dhe shërbimeve përbëjnë 19,1% të të punësuarve.

Sipas vlerësimeve të anketës për vitin 2019, rezulton se 45,7% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 32,3 % janë të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 22,0% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Siç shihet nga dhënat informaliteti në punësim ishte mbi 56.3% në vitin 2019. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) përllogarit se Shqipëria ka punësimin ne të zezë gati dyfish më të lartë se mesatarja europiane dhe një nga nivelet më të larta në rang europian.

Pas Shqipërisë, normën më të lartë të informalitetit në punësim e ka Bosnja me 30% të totalit të punësimit. Në vende të tjera të Europës që nuk janë anëtarë të BE, ky tregues është shumë herë më i ulët. Në Maqedoni, punësimi informal ishte vetëm 13.8% e totalit në vitin 2019, ndërsa në Serbi 18.7 për qind. /Monitor