13 mars 2015 – Një 18-vjeçar, pas një sherri të rinjsh, ka kërcënuar me kallashnikov 6 persona.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në Kamëz, ku protagonisti i ngjarjes E. Cani, dyshohet se ka kanosur me armë zjarri gjashtë persona.

Burime nga policia thanë se mes të rinjve ka pasur një sherr për motive të dobëta. Pas fjalëve fyese të ndërsjella dhe përleshjes fizike, 18-vjeçari E. Cani ka marrë armën në shtëpi dhe është rikthyer në vendngjarje duke qëlluar disa herë.

Sipas dëshmitarëve, por edhe hetimit nga ana e uniformave blu në vendin ku ndodhi ngjarja, i riu ka qëlluar në tokë për t’i kanosur kundërshtarët e tij. Për t’i shpëtuar rrezikut që i kanosej, gjashtë personat të cilët u përleshën me adoleshentin, u fshehën.

Por vetëm disa minuta pas kanosjes, policia ka arritur të ndalë 18-vjeçarin, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automatiku.

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/