Artieda Haliti është një vajzë 18- vjeçare që sapo ka mbaruar maturën. Por ajo krahas rezultateve te mira në mësime, ka punuar në pikturë duke konkretizuar ndër vite synime ambicioze në këtë gjini të bukur, por të vështirë të artit. Ajo e ka krijuar pikturën e parë që në  moshën 7 vjeçe dhe që në atë kohë pasioni për pikturën erdhi duke u rritur gradualisht. Ajo është  njohur me figura të rëndësishme të artit botëror të pikturës, jo vetëm duke lexuar për jetën e tyre por edhe duke i riprodhuar këto vepra, për të mbajtur në memorien e saj  artistike atë që mund të quhet poleni artistik i mjeshtërisë së tyre.

Artieda këtë vit ka aplikuar për të ndjekur krahas degëve të tjera preferenciale edhe për në akademinë e arteve të bukura në degën e pikturës.

Ajo thotë se tashmë  është lidhur ngushtë me tablotë e saj dhe është  e bindur se do të shtegtojë në këtë hulli artistike. Piktorja 18- vjeçare Artieda Haliti ka marrë dhe diplomën për punën e suksesshme të bërë në pikturë gjatë vitit 2015, nga Akademia Europiane e Artit.

K.H.