Ligji i dekriminalizimit po rezulton një dështim total, pavarësisht se pritshmëria për të kundërtën ishte e madhe. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur dje procesin e verifikimit të dosjeve për të 140 deputetët e Parlamentit, dhe rezultati është se asnjë prej tyre nuk do të largohet për shkak të shkuarës së tyre problematike. KQZ zhvilloi dje mbledhjen e radhës me rend dite, shqyrtimin e dosjeve të atyre që rezultonin me probleme. Nga dosjet e shqyrtuara të KQZ rezulton se 19 deputetë të Parlamentit Shqiptar janë me probleme me ligjin. Përveç deputetëve, edhe 11 kryebashkiakë nuk e kanë të “bardhë” të shkuarën e tyre, pasi kanë bërë shënimet përkatëse në formularin e vetëdeklarimit.

Por nga të dhënat zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, asnjë prej tyre nuk preket nga ligji i dekriminalizimit, ndërsa dy kryebashkiakë, përkatësisht të Kavajës, Elvis Rroshi dhe të Krujës, Artur Bushi janë në proces hetimi nga Prokuroria. “Nga verifikimi i dokumentacionit, të dhënave në formularin e vetëdeklarimit dhe vërtetimit të gjendjes gjyqësore, rrethanat e paraqitura në formularët e vetëdeklarimit, nuk përfshihen brenda sferës së ndalimeve për shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit dhe ndërprerjen e mandatit”, thuhet në raportin e KQZ.

Ndërkaq, nga projektvendimet e KQZ-së që janë hartuar në bazë të ballafaqimit të informacioneve që kanë dhënë në formularët e vetëdeklarimeve dhe informacioneve që janë marrë nga gjendja gjyqësore, 4 prej tyre rezultojnë të kenë fshehur të dhënat, duke mashtruar në formularët e vetëdeklarimeve. Por edhe në këtë rast, veprat penale të kryera prej tyre nuk rezultojnë të jenë subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe, në këtë mënyrë, ata do të vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e deputetit. Ndërsa për tre bashkiakë, përkatësisht Ndrec Dedaj, Xhelal Mziu dhe Zef Hila, nuk janë përgatitur projektaktet.

4 emrat e rinj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga verifikimi i të dhënave në formularët e vetëdeklarimit dhe të gjendjes gjyqësore, ka rezultuar se janë 4 deputetë të rinj që gjatë verifikimeve kanë rezultuar me probleme. Të 4 deputetëve u është pushuar çështja ose kanë dalë të pafajshëm me vendim të formës së prerë. Këta deputetë janë Artan Gaçi, Luan Rama dhe dy deputetë të PD, Asllan Dogjani dhe Florion Mima. Dy deputetët demokratë janë gjykuar për akuzën e shpifjes por janë shpallur të pafajshëm. Deputeti socialist, Artan Gaçi, është dënuar për kundravajtje penale, por i shpallur i pafajshëm. Njësoj si Gaçi, edhe Luan Rama ka dalë i pafajshëm.

Zëvendësimi i këshilltarëve bashkiakë

Ligji i dekriminalizimit ka prekur vetëm anëtarët e këshillave bashkiakë, disa prej të cilave janë larguar nga detyra pa plotësuar formularin e vetëdeklarimeve. Shumë shpejtë pritet që anëtarët e larguar vetë ose që janë larguar pasi kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimeve të zëvendësohen. Burime nga KQZ kanë bërë me dije se ky institucion është duke shqyrtuar vetëdeklarimet e emrave të rinj që pritet të marrin detyrën. KQZ shqyrtoi dje projekt-vendimin, “Për verifikimin e deklarimeve në formularët e vetëdeklarimit të kandidatëve nga listat shumeemërore për anëtarë në këshillat bashkiakë, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Në përfundim të mbledhjes, KQZ vendosi njoftimin e këshillave bashkiak për vazhdimin e procedurave për dhënien e mandatit kandidatëve të listave shummërore, për plotësimin e vendeve vakante në këshillat bashkiak.

“Sot”