Tiranë, 26 shkurt 2014 – Janë 19 rastet e identifikuara me virusin pandemik AH1N1 në Shqipëri, i njohur ndryshe si gripi i derrit.
Kështu bën të ditur Ministria e Shëndetësisë, e cila gjatë mbledhjes së Komitetit Ad-Hoc për Përgjigjen ndaj Gripit, mori masa për shpërndarjen në sasi të mjaftueshme të vaksinës Tamiflu nga ISHP në spitalet universitare dhe rajonale. Sipas drejtorit tw Drejtorisë së Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja nga tetori janë evidentuar 124 raste me sindroma të rënda respiratore. “Duke filluar nga muaji tetor 2013 e deri më sot janë raportuar 124 raste me sindromë të rëndë respiratore, prej të cilëve, vetëm 8 rezultojnë pozitivë për virusin e gripit”, tha ai.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në 15 ditët e fundit virusi i gripit ka prirje rritëse. Numri i rasteve të identifikuara në laborator me infeksion nga virusi pandemik AH1 është 19 në të gjithë vendin, ndërkohë që nga 337 mostra të dyshuara për grip, vetëm në 46 prej tyre është izoluar virusi i gripit.
Komiteti Ad-Hoc konstatoi se Shqipëria nuk bën përjashtim nga situata e përgjithshme në Evropë, në Itali dhe në Greqi, ku bashkëqarkullojnë virusi sezonal i gripit dhe virusi pandemik i gripit. Ndërkohë që në Greqi, raportohet një qarkullim i shtuar me intensitet të lartë gripi. Komiteti udhëzoi informimin në vijimësi të publikut për masat parandaluese dhe mbrojtëse ndaj gripit sezonal, veçanërisht: të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





