19 shkolla shqiptare marrin certifikimin nga Këshilli Evropian si shkolla “eTwinning” dhe bëhen pjesë e platformës unike të bashkëveprimit të mësuesve dhe nxënësve në projekte nxitëse dhe inovatore në të gjithë Evropën.
Këto shkolla të cilat janë të shpërndara në rajone dhe zona të ndryshme të Shqipërisë mund të përfitojnë grante mbështetëse për projekte propozuese nga Bashkimi Evropian.
Për ministren e Arsimit, Lindita Nikolla mësuesit shqiptarë dhe nxënësit e tyre nuk kanë asnjë dallim nga homologët e tyre në Evropë pasi planet dhe idetë e tyre zbatohen nga mësuesit e tjerë në Botë.
"Përvojat e 4 mijë mësuesve shqiptarë dhe 1150 shkollave ka qenë një eksperiencë që u ka shërbyer jo vetëm mësuesve dhe shkollave por besoj për shkak të takimeve të tilla dhe shpërndarjes së përvojës dhe modeleve. Mendoj që ka qenë një vlerë e shtuar e sistemit tonë arsimor. Do te ishte ndoshta e pamundur qe ne te ishim në lartësinë e modelit të këtij rrjeti nëse ne do ishim me kurrikulën e vjetër ose në sistemin tonë arsimor nuk do të kishim tekste të reja",- tha ministrja Nikolla.
I krijuar në vitin 2005 si veprimi kryesor i Programit të Mësimit Elektronik të Komisionit Evropian, “eTwinning” është integruar fuqishëm në programin Evropian Erasmus+, për Edukimin, Trajnimin, Rininë dhe Sportet që nga viti 2014. Në këtë rrjet Evropian përfshihen 600 mijë mësues, 195 mijë shkolla dhe 77 mijë ide, ku Shqipëria ka përfaqësuesit e saj pasi është bërë anëtare që prej vitit 2014.





