Angli, 29 prill 2014 – I riu Stephen Sutton, një djalë 19 vjeçar, ishte prekur nga një sëmundje e pakurueshme dhe ndodhej në fund të jetës disa ditë më parë.

Por diçka duket se ndryshoi në mënyrë të papritur dhe Stephen është më mirë, pasi gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme dhe duket se momentalisht rreziku ka kaluar.

Para disa ditësh Stephen shkroi përshëndetjen e fundit për miqtë e tij në Facebook, të cilët ishin prekur nga historia e tij dhe po mblidhnin fonde në mënyrë që të bënin të mundur kurimin.

Por tashmë duket se çdo gjë ka ndryshuar dhe gjërat po shkojnë drejt rrugës së përmirësimit. Ja si shprehet Stephen në mesazhin e tij, menjëherë pas ndryshimit pozitiv të gjendjes së tij shëndetësore.

“Frymëmarrja ime ishte rënduar shumë për shkak të dëmtimit të mushkërisë së djathtë, gjë që më shkaktonte një kollë shumë të fortë e cila shtohej gjithnjë e më tepër. Më dukej sikur do mbytesha. Mirëpo duke u kollitur pështyva nga goja diçka të kuqe në formë ovale. Që nga ai moment kolla ime u qetësua dhe tashmë ndihem më mirë. Nuk di se si ta përshkruaj këtë gjë, por gjatë gjithë natës isha me dhimbje të tmerrshme fyti. Mirëpo në mëngjes arrija që të merrja frymë lirisht pa ndihmën e oksigjenit. Ndihem në formë fantastike. Mjekët më thanë se kjo që ka ndodhur është e pabesueshme, njëlloj si të kisha pështyrë tumorin që bllokonte rrugët e mia të frymëmarrjes. Tashmë mushkëritë e mia janë më të përmirësuar, ndonëse kanë mbetje të tjera infeksionesh. Tashmë ndihem shumë më mirë”,- përmbyll rrëfimin e tij Sutton.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/