19-vjeçari Kevin Murataj, i riut shqiptar i cili humbi tragjikisht jetën mbrëmjen e së premtes jashtë një picerie, kishte dalë për të festuar bashkë me shokët e shoqet maturën.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, 19-vjeçari sapo kishte dalë nga piceria së bashku me 8 shokë e shoqe të klasës dhe 2 mësues, kur u përplas te vijat e bardha nga një makinë që drejtohej nga një 21-vjeçar. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:30. Të rinjtë ishin nisur drejt diskotekës për të vijuar festën.
Kevin Murataj, që do të kishte mbushur 20 vjeç më 3 shtator, ishte i pari në rresht. Papritur studenti u përplas nga automjeti. Dinamika e ngjarjes mbetet ende për t’u sqaruar megjithatë nga të dhënat e para shoferi i makinës kishte ndaluar në mënyrë që të rinjtë të kalonin, por siç duket nuk e kishte parë në kohë që Kevin ishte futur te vijat e bardha.
I riu u transportua me urgjencë drejt spitalit, por përplasja ishte e fortë dhe ai ndërroi jetë pa mbërritur ende.
Sipas medieve italiane, familja Murataj kishin shkuar në Itali shumë vite më parë. Ndërsa Kevin kishte lindur në Foggia dhe jetonte në Latisana.
“Kevin kishte dalë i lumtur nga shtëpia, ëndërronte për maturën prej kohësh, që më pas të regjistrohej në universitet. Një fat i pamëshirshëm, kaq i pamëshirshëm sa e mori nga kjo botë”, shprehet daja i tij.
“Ishte një djalë gjithmonë i qeshur, kishte kaq shumë dëshirë për të studiuar, për të punuar, nuk lodhej kurrë”, shtoi ai.





