Prindërit e saj ishin duke u kthyer në vendlindje, kur dikush i njoftoi se vajza Imzela M. ishte përplasur për vdekje nga një makinë.

Kjo histori e trishtë është bërë publike nga portali maqedonas “Zhurnal” i cili shkruan:

“Vajza e bukur nga Kosova me vendbanim në Vevey, sapo kishte filluar ta shijojë jetën dhe përnjëherë, mëngjesin e së hënës, ajo përfundoi tragjikisht.”

19-vjeçarja sapo kishte përfunduar shkollën e farmacisë ditën e së enjtes dhe ndërkohë punonte në një farmaci afër Lozanës, qytetit ku banonte.

“Sapo e morën vesh lajmin e kobshëm gjatë rrugës së gjatë, prindërit e Imzelës kthehen menjëherë dhe rreth mesnatës mbërrijnë në Zvicër. Vërtetë është e tmerrshme ajo që ka ndodhur”, tregon një shoqe e vajzës së re për përjetimin e prindërve të saj kur morën lajmin.

Pas hetimeve të policisë, u zbulua se aksidenti fatal, i ndodhur rreth 07:30 të mëngjesit, u shkaktua nga një pensionist 78-vjeçar. Imzela ishte duke ecur në vijat e këmbësorëve, mirëpo autori i aksidentit deklaroi në polici se “e kishte penguar dielli”.

Në vendngjarje janë vendosur lule e qirinj, në përkujtim të vajzës së re, e cila humbi jetën tragjikisht.