Partia Demokratike, miq dhe familjarë kanë kujtuar sot 19-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit. Në homazhet e zhvilluara në memorialin e tij, lideri i opozitës Basha tha se sot kujtohet vepra e tij, i cili luftoi dhe dha jetën për liri dhe demokraci.

“Jemi mbledhur sot për të përkujtuar tribunin e lëvizjes studentore, zemrën e kurajës demokrate, të paharrueshmin Azem Hajdari. Vit për vit nëse dielli i demokracisë shndrrin siç ka shndritur, apo fshihet pas reve të zeza të krimit të korrupsionit siç është fshehur, ne vijmë këtu për të ndarë bashkë dramën e 12 shtatorit”, tha Basha.  

Edhe lideri historik i PD-së, Sali Berisha u shpreh se Azem Hajdari është frymëzimi i çdo shqiptari.

“Sot për ne është një ditë që ne kujtojmë me dhimbje të madhe akatin barbar të kryer nga regjimi, ekzekutimin para selisë së PD-së të tribunit të lirisë Azem Hajdarit, njeriut që ka bërë si individ më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Ishte gjoksi i tij, që ngrihej më 8 dhjetor në rrugët e Tiranës përballë barrikadave të autoblindave, të policisë, ushtrisë që solli çeljen e dyerve të lirisë për shqiptarët.

Por Hajdari nuk është vetëm një lider i historisë, ai është një burim i madh frymëzimi për çdo shqiptar, për çdo të ri, për çdo të re. Frymëzimi i tij është të qëndrojmë të pamposhtuar, është të ngrihemi sa herë që rrëzohemi, është të vazhdojmë betejën”, u shpreh Berisha.

Në fund, ish-kryeministri pati edhe një thirrje: “Le të na frymëzojë guximi, vizioni, trimëria e tribunit tonë legjendar, për të realizuar sa më shpejt idealët për të cilat ai ra. Unë kam besim se ne do t’ia dalim. I përjetshëm kujtimi i Azem Hajdarit”.

Ndërsa vajza e Azemit, Rudina Hajdari, që sot është deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë, tha se do të ecë në gjurmët e të atit për të qënë një zë i fortë i opozitës shqiptare.