Në foto: Personazhet: (nga e majta në të djathtë): Tuk Jakova, Dmitri Çuvahin, Mehmet Shehu, Liri Belishova, Enver Hoxha
DURRËS, 11 gusht 2013 – Diplomaci dhe spiunazh, çështja e sekretarit të KQ të PPSH-së Tuk Jakova (1914-1959) dhe qëndrimi ndaj klerit katolik dhe Vatikanit i hap telashe Enver Hoxhës para Kremlinit. Dhe pse një mbledhje e byrosë politike e 29-31 janarit 1951 kishte si objektiv problemet ekonomike, me fokus mosrealizimin e planit dyvjeçar, ministri i Brendshëm Mehmet Shehu dhe sekretarja e KQ të partisë Liri Belishova u morën me kritikën e gabimeve të Tuk Jakovës. Është interesante të mësosh nga arkivat ruse se kreun e Tiranës Moska e mbante mes kudhrës (Liri Belishova) dhe çekanit (Mehmet Shehu). Diktatorit shqiptar nuk ia priste mendja se e kishin spiunuar te sovjetikët. Ndoshta nuk e dinte as faktin se Liri Belishova kishte depozituar në legatën e BS kopjet e diskutimeve të byroistëve.
DEVIJMI I MBLEDHJES
Më 29-31 janar 1951 u zhvillua mbledhja e byrosë politike të KQ PPSH. Në fjalimin e 30 janarit sekretari i përgjithshëm i PPSH dhe kryeministri Enver Hoxha përcaktoi qëllimin e mbledhjes – “analiza e punës sonë. Çështjet, që janë paraqitur këtu, nuk janë të reja për ne, me to secili është njohur dhe më parë. Megjithatë duhet t’i analizojmë përsëri për të përmirësuar punën tonë. Kemi parë se gjithë këto vitet e fundit plani ekonomik nuk është realizuar dhe shkak për këtë janë të metat tona. Pasi kemi diskutuar mbi rezultatet e realizimit të planit dyvjeçar në Këshillin e Ministrave, gjithmonë e më tepër po bindem për domosdoshmërinë e një analize të të gjithë punës sonë në byronë politike. Gjithmonë kam pasur parasysh se në Këshillin e Ministrave nuk mund të diskutojmë për disa probleme partie” [diskutimi i Enver Hoxhës ndodhet dhe në arkivat e politikës së jashtme të Federatës Ruse. Ai nuk është botuar shqip në Veprat. Citimet këtu bëhen sipas versionit rusisht – “Dyrrah”-u]. Por gjatë diskutimit kritika e të metave u përqendrua mbi Tuk Jakovën, që përgjigjej në udhëheqjen e partisë për çështjet e kuadrit, thuhet në një shënim të botuesit rus.
“SPIUNIMI”
Më 30 janar 1951, i dërguari i BS në Tiranë, Dmitri Çuvahin (1903-1997), raporton që, “pasi mora vesh se dje, më 29 janar, në byronë politike u bënë diskutime për punën e anëtarëve të veçantë të byrosë politike të KQ PPSH, ftova në mision Liri Belishovën dhe i kërkova të jepte përshtypjet e saj për këtë çështje. Liri Belishova tha se këtë e bënte me gjithë qejf”. Tërheq vëmendjen fakti se sekretarja e KQ të PPSH-së ftohet dhe i kërkohet informacion, kurse në dokumentet e tjera shkruhet se ministri i brendshëm Mehmet Shehu dhe kreu i shtetit Enver Hoxha shkojnë në misionin sovjetik me nismën e tyre. Gjithë kjo konfidencë ndaj Belishovës shpjegon dhe faktin se ajo ka dorëzuar në legatën sovjetike tekstet e diskutimeve të anëtarëve të byrosë politike, të cilat ndodhen të plota në arkivat ruse dhe jepen të përmbledhura nga i ngarkuari Çuvahin në kabllogram. Pasi “u zbraz” mirë para të ngarkuarit të BRSS në Shqipëri, ky i fundit ka mbetur i kënaqur dhe e ngarkon raportuesen me detyrë: “Për arsye se byroja politike do të vazhdojë mbledhjen sonte në mbrëmje (30 janar), i kërkova Liri Belishovës që, po të ketë kohë, të vijë në mision nesër, më 31 janar, për të shfaqur mbresat e saj për konkluzionet e mbledhjes në vijim të byrosë politike. Liri Belishova tha se do ta bënte këtë gjë me gjithë qejf”.
SHKURT
Të nesërmen e informimit të Belishovës në rezidenturë, më 31 janar 1951, i dërguari sovjetik D. Çuvahin i raportoi Moskës se u takua me Enver Hoxhën me iniciativën e këtij të fundit. Me sa duket, përfaqësuesi më i lartë i BS në Shqipëri nuk kishte të drejtë, me urdhër të Stalinit, të kërkonte që të paraqitej në legatë kryeministri dhe sekretari i përgjithshëm i PPSH. Por ishte vetë Enver Hoxha që i tha Çuvahinit “se do të donte të fliste shkurt për rezultatet e diskutimeve në byronë politike të zhvilluara më 29 dhe 30 janar”. Kjo thënie e cituar nga Çuvahini se Hoxha “do të donte të fliste shkurt”, përforcon dyshimin se udhëheqësi shqiptar nuk ishte në dijeni për çka kishte folur anëtarja e byrosë politike, Liri Belishova, dhe çfarë dokumentesh (procesverbalet e diskutimeve të Hoxhës dhe anëtarëve të tjerë të byrosë) kishte dorëzuar ajo në kasafortat e misionit sovjetik.
BENIAMINI
Është befasues fakti që Hoxha ka mbrojtur Tuk Jakovën para sovjetikëve dhe pas disa ditësh do të thoshte të kundërtën. I dërguari i BS raporton se “sipas fjalëve të Enver Hoxhës, kritika që u bëri Mehmet Shehu gabimeve të Tuk Jakovës, ndonëse parimore, ishte e ashpër”. Madje, sekretari i përgjithshëm i PPSH-së thotë se zëvendësi i tij, Mehmet Shehu, “e kishte përgatitur diskutimin e tij në mënyrë shumë të njëanshme dhe u mjaftua kryesisht me kritikën e gabimeve të Tuk Jakovës. Ai pothuajse nuk foli për punën e anëtarëve të tjerë të byrosë politike, për problemet e përgjithshme politike që shtrohen para partisë etj.”. Është një ankesë e fortë e Hoxhës kundër beniaminit të sovjetikëve, pasi ishte i shqetësuar që Mehmet Shehu u mor vetëm me gabimet e Tuk Jakovës dhe nuk shigjetoi asnjë nga anëtarët e tjerë të byrosë. Për më tepër “se gjithë këto vitet e fundit plani ekonomik nuk është realizuar”. Hoxha kishte kërkuar analizë të çështjeve ekonomike, kurse Shehu merrej me Jakovën. “Enver Hoxha mendon se Tuk Jakovën e kemi “shokun tonë të vjetër luftarak”, se ai është komunist bolshevik, se do ta kuptojë kritikën ndaj gabimeve të tij dhe, me ndihmën e shokëve të tjerë të byrosë politike, mund t’i ndreqë këto gabime”, raporton Çuvahini.
NIAZI ISLAMI
Në ditarin e tij diplomatik Çuvahini shënon se “sipas mendimit të Enver Hoxhës, Mehmet Shehu nuk ka të drejtë kur thotë se Tuk Jakova deri tani është në opozicion me vendimet e partisë për problemin e Niazi Islamit”. Për retrospektivë, përmendim se afër një vit më parë, në Konferencën e dytë Kombëtare të PPSH-së në prill të vitit 1950, grupi Abedin Shehu – Niazi Islami u quajt trockist (të dy anëtarë të KQ-së, Niazi Islami, ministër i Transportit dhe Abedin Shehu, ministër i Ekonomisë). Atëherë Enver Hoxha i akuzoi ata se synonin të zinin poste drejtuese në parti e qeveri, të merrnin pushtetin, të rrëzonin komitetin qendror e qeverinë, dhe të vendosnin kështu sistemin e urryer borgjez. Arrestimi i opozitarëve dhe mbështetësve të tyre, si “armiq të popullit”, mbylli procesin gjyqësor partiak e shtetëror. Mehmet Shehu zgjeroi radhët e pasuesve të vet: në vendet vakante të KQ u vunë gruaja e tij, Fiqretja, dhe Kadri Hazbiu.
AKROBACI
Duke kritikuar Tuk Jakovën për “rehatllëk”, që çon në oportunizëm, moskokëçarje për punën (“Tuk Jakova nuk e ka kryer detyrën e tij si punonjës me përgjegjësi në aparatin e KQ”), Enver Hoxha theksoi gjithashtu se përgjegjësia për të metat nuk mund t’i ngarkohet vetëm Jakovës, se “ai është komunist i mirë, bolshevik”, thuhet në një shënim të arkivave ruse. Ndërkaq bie në sy njëfarë akrobacie e Enver Hoxhës. Ky i fundit guxon t’i thotë të dërguarit sovjetik që “ai mendon se punonjës të veçantë në komitetin qendror marrin herë pas here në mënyrë mekanike eksperiencën e PKPR(b), nuk studiojnë paraprakisht konditat specifike të punës së PPSH”. Ishte “herezi” t’i thuhej njeriut të Kremlinit se në Shqipëri nuk duhet kopjuar eksperienca e komunistëve panrusë. Ka gjasa që Çuvahini t’i ketë bërë shantazh bashkëbiseduesit me dëshminë e një dite më parë të Liri Belishovës: “Tuk Jakova nuk i lexon materialet që sjellin nga Moska delegacione të ndryshme shqiptare. Madje nuk ka as dhe materialet që ka sjellë “delegacioni i partisë” i kryesuar nga kandidati i KQ Pirro Kondi”. Atëherë Enver Hoxha nxiton të qetësojë Moskën se Tuk Jakova “bën gabim të rëndë kur nuk njihet siç duhet me raportimet e delegacioneve të ndryshme shqiptare që kanë vizituar Bashkimin Sovjetik dhe që janë njohur atje me eksperiencën e punës së njërës ose tjetrës organizatë sovjetike”.
Kurthi me unitetin në byronë politike
Gjithsesi, tip i zgjuar, Enver Hoxha parandien se të ngarkuarit sovjetik i ishte raportuar më shumë së sa përfytyronte ai. Ai nuhat “pabesinë” dhe e kupton se nuk mund ta mashtronte dot të dërguarin e Moskës në Tiranë mbi të ashtuquajturin “unitet mendimi dhe veprimi në byronë politike”. Në dokumentet e panjohura ruse shpaloset një moment kuptimplotë që hedh dritë për prapaskenën diplomatike-agjenturore kundër Tuk Jakovës. Çuvahini e kishte pyetur Enver Hoxhën nëse ishin dakord të gjithë anëtarët e byrosë me konkluzionet e diskutimeve. Bashkëbiseduesi iu përgjigj me “po”. Megjithatë Hoxhës, me sa duket, i ka djegur pyetja. Të nesërmen, lideri shqiptar u detyrua të pranojë se nuk ishin dakord Mehmet Shehu dhe Belishova. Kthesa e tij erdhi pas bisedës me Mehmet Shehun po atë ditë kur të dy, veç e veç, do të takonin diplomatin sovjetik. Jo vetëm kaq, kur parandjeu se fati i Tuk Jakovës ishte paravendosur prapa krahëve të tij, Hoxha thotë se, me sa shihet, do të duhet të vendoset në varësi të diskutimeve.
PËRÇARJA
31 janar 1951. Të nesërmen, pasi ishte informuar me hollësi nga Liri Belishova, D. Çuvahin shkruan për takimin me Enver Hoxhën me kërkesë të këtij të fundit:
“E pyeta Enver Hoxhën:
-A mbetën të kënaqur të gjithë anëtarët e byrosë politike nga përfundimet e diskutimeve të zhvilluara?
Enver Hoxha u përgjigj se, sipas mendimit të tij, anëtarët e byrosë politike, në tërësi, ishin të kënaqur me përfundimet e këtyre diskutimeve dhe se ai nuk ka dyshim se rrahja shoqërore e mendimeve gjatë atyre diskutimeve do të ndihmojë në përmirësimin e punës qoftë në byronë politike qoftë në aparatin e KQ të partisë”.
1 shkurt 1951. I ngarkuari i BS D. Çuvahin shkruan:
“Sot, në orën 16,15’, pata takim me Enver Hoxhën me iniciativën e tij. Ai tha se pas pyetjes që i bëra në bisedën e djeshme (31 janar) se a mbetën të kënaqur të gjithë anëtarët e byrosë politike nga përfundimet e diskutimeve, ai ishte menduar gjatë dhe kishte konkluduar se përgjigja që i kishte dhënë pyetjes sime të djeshme nuk kishte qenë shumë e saktë. Kjo bindje, – tha Enver Hoxha, – iu rrënjos më thellë në ndërgjegje veçanërisht pas bisedës së sotme (1 shkurt) që pati me Mehmet Shehun. Më duhet ta pranoj, – vazhdoi ai, – se me konkluzionet që unë (Enver Hoxha) bëra para byrosë politike më 30 janar, ishin dakord të gjithë anëtarët e saj, me përjashtim të Mehmet Shehut dhe, pjesërisht, të Liri Belishovës. Këta dy shokë nuk ishin të kënaqur me konkluzionet që dolën nga rrahja e mendimeve në byronë politike. Duhet theksuar, – vijoi Enver Hoxha, – se ndryshimi në mendime midis meje dhe Mehmet Shehut kishte të bënte vetëm me një problem” për qëndrimin e Tuk Jakovës si sekretar i KQ të partisë. “Në këtë pikë unë dhe Mehmet Shehu nuk kemi unitet mendimi””.
APOLOGJIA
Ndërkohë Enver Hoxha i bën një apologji të apasionuar sekretarit të KQ para përfaqësisë sovjetike: “Partia e njeh Tuk Jakovën si komisar ushtarak të luftës partizane me origjinë punëtore. Partia i njeh edhe anët e tij të dobëta”. Udhëheqësi kërkon që byroja politike duhet të jetë e qartë: “A janë gabimet e Tuk Jakovës të rastit? Apo janë kthyer në sistem pikëpamjesh për këtë apo atë problem dhe sidomos për problemet e kuadrit, për pranimet në parti etj.?” Çuvahini shënon se “personalisht Enver Hoxha mendon që Tuk Jakova i ka bërë gabimet në mënyrë të pavetëdijshme, se ai nuk mendon që Tuk Jakova është kundër vijës së partisë në problemin e vlerësimit të aktivitetit antipopullor të grupit të Abedin Shehut dhe Niazi Islamit”. Hoxhës u vu në pozitë të vështirë nga kjo akuzë e Mehmet Shehut ndaj Jakovës, pasi Niazi Islami ishte shpallur antisovjetik. Në raportin e mbajtur në Konferencën II Nacionale të PPSH, më 10 prill 1950, ishte vetë Enver Hoxha që deklaronte: “Trockisti Niazi Islami shqelmonte të gjithë eksperiencën e vlefshme sovjetike në organizimin e mirë të transportit, ai mashtronte qeverinë sy për sy, duke u përpjekur të kalonte forma organizimi të trockistëve jugosllavë, për forma të drejta dhe si të nxjerra nga eksperienca sovjetike… Ai ishte frymëzuesi dhe udhëheqësi i sabotazhit të transportit automobilistik dhe veçanërisht i automobilave ZIS që na vinin nga Bashkimi Sovjetik. Ai në fillim përhapi parullën se rimorkiot, që kanë ardhur nga Bashkimi Sovjetik, nuk mund të përdoren në rrugët tona”.
NUHATJA
Nga ana tjetër, për të mos ta prishur me të dërguarin sovjetik, Enver Hoxha deklaron se “kuptohet vetiu që duhet të kritikojmë me ashpërsi veprime të veçanta të Tuk Jakovës”. Enver Hoxha e nuhat në ajër se sovjetikët mund të kishin parapëlqyer dikë tjetër në vend të Jakovës. Ai hedh një balon prove: “Në qoftë se do të zëvendësonim me Mehmet Shehun Tuk Jakovën në postin aktual, puna e KQ në këtë aspekt do të shkonte më mirë. Një vendim i tillë do të ishte më i përshtatshëm”. Më 7 shkurt 1951, pas takimit me M. Shehun, D. Çuvahini shënoi në kabllogram: “Sipas Mehmet Shehut, ai sikur i ka thënë drejtpërdrejt Enver Hoxhës se është plotësisht dakord me mendimin e tij mbi nevojën për zëvendësimin e Tuk Jakovës, duke e lënë atë, megjithatë, zëvendëskryetar të Këshillit të Ministrave. Mehmet Shehu tha më tej se Enver Hoxha e ka konsideruar atë një nga kandidatët e mundshëm për vendin e Tuk Jakovës”.
NDROJTJA
Enver Hoxha tregohet disi i rezervuar për ndëshkimin e Tuk Jakovës. Ndoshta ka ndrojtje për pasojat. Ai i thotë Çuvahinit: “Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se problemi i largimit nga udhëheqja të këtij apo atij shoku nuk është kaq e thjeshtë. Duhet marrë konsideratë fakti se çfarë jehone do të ketë në parti, në popull largimi i Tuk Jakovës ose i ndonjë sekretari tjetër të komitetit qendror”, duke pasur parasysh sekretarin tjetër, Bedri Spahiu. Ata ishin dy udhëheqës me reputacion në vend. Pa eliminimin e tyre, Mehmet Shehu nuk do të mund të kontrollonte dot plotësisht kupolën e qeverisjes. Enver Hoxha përpiqet për kompromis. Ai i thotë të dërguarit sovjetik se “mundet që Tuk Jakova duhej të ndihmohej më tepër nga anëtarë të veçantë të byrosë politike. Po t’i jepet kjo ndihmë dhe në qoftë se Tuk Jakova do t’i përvishet me seriozitet studimit (se më shumë se kushdo tjetër prej anëtarëve të byrosë politike ai ka nevojë të mësojë), atëherë, mbase, mund ta kursenim këtë udhëheqës të partisë”.
DORËZIMI
Argumentet në favor të Tuk Jakovës kishin të bënin me origjinën e tij prej proletari dhe popullaritetin që gëzonte mes popullsisë katolike. Çuvahini shkruan se Enver Hoxha është shprehur: “Në udhëheqje ka më zotë se Tuk Jakova, por, nga ana tjetër, nuk duhet harruar se të gjithë ata vijnë nga familje mikroborgjeze. Vetëm me një intelektual mund të zëvendësojmë Tuk Jakovën. Veç kësaj, duhet marrë në konsideratë edhe fakti se ai është i vetmi përfaqësues i veriut katolik në qeveri, emri i të cilit, deri në një farë mase, është popullor te katolikët shqiptarë”. Enver Hoxha e ndiente se argumentet e mësipërme nuk po ia mbushin mendjen diplomatit sovjetik, i cili shënon se “në fund të diskurit të tij Enver Hoxha tha se, me sa shihet, do të duhet ta diskutojmë në byronë politike problemin e Tuk Jakovës dhe të vendoset në varësi të diskutimeve”. Por Enver Hoxha bën përpjekjen radhës. Edhe më 2 shkurt 1951, në një bisedë me Çuvahinin, E. Hoxha tha se fjalimi i tij në byronë politike mbi gabimet e Tuk Jakovës “kishte më tepër një karakter sentimental dhe psikologjik se sa politik”. Ai e konsideroi të nevojshme të nënvizonte para diplomatit sovjetik “karakterin delikat” të kësaj çështjeje, si edhe faktin se “ai personalisht ai dhe më parë e konsideron Tuk Jakovën një shok të mirë dhe besnik të partisë”. Enver Hoxha përsërit “se Jakova ka dalë nga ambient punëtorësh, vetë ka qenë punëtor. Përveç kësaj, ai përfaqëson në qeveri veriun katolik, emri i tij ka qenë popullor mes katolikëve shqiptarë. Në rast lirimi nga detyra në KQ në vend të Jakovës ka mundësi të vendoset “vetëm një intelektual”” .
Mehmeti: Enveri gabon kur mbron Tukun
“Tuk Jakova gjatë punës jo vetëm shfaq oportunizëm, por dhe në përgjithësi për shkak të cilësive të tij nuk duhet të jetë në postin, që mban sot”, Mehmet Shehut i ka bërë përshtypje të keqe pozicioni i Enver Hoxhës në mbrojtje të Tuk Jakovës. I dërguari i BRSS në Shqipëri, Dmitri Çuvahin, informon ministrinë e vetë të Punëve të Jashtme për një takim të tij me Mehmet Shehun, të kërkuar nga ky i fundit, më 1 shkurt 1951.
Në numrin e sotëm, që mbyll ciklin prej tre shkrimesh lidhur me goditjen e Tuk Jakovës, sipas dokumenteve të arkivave ruse, po botojmë një informacion të D.S. Çuvahinit, ku ka regjistruar “bisedën me anëtarin e byrosë politike të KQ të PPSH M. Shehu mbi “gabimet” e T. Jakovës”. Ky dokument interesant zbulon implikimin e diplomatëve të Kremlinit për eliminimin e Tuk Jakovës. Çuvahini ka inkurajuar Mehmet Shehun për t’iu kundërvënë dhe Enver Hoxhës, nëse ky i fundit nuk hiqte dorë nga mbështetja për udhëheqësin proletar.
“JAKOVA PENGON REALIZIMIN E PLANIT 5-VJEÇAR”
Mehmet Shehu citohet të ketë thënë se “Enver Hoxha gabon kur mendon se Tuk Jakova ka lejuar në mënyrë të pandërgjegjshme gabime, për të cilat u fol në byronë politike”. Bashkëbiseduesi shqiptar i Çuvahinit e stërzmadhon problemin deri atje, sa të thotë se rrezikohet ekonomia e Shqipërisë: “Në qoftë se Tuk Jakova do të vazhdojë të mbetet në udhëheqjen e punës së aparatit të KQ, nuk do të kryhet puna e partisë, dhe se nuk mund të bëhet fjalë për realizimin e pesëvjeçarit”! Shehu këmbëngul me të madhe se “Tuk Jakova gjatë punës jo vetëm shfaq oportunizëm, por dhe në përgjithësi për shkak të cilësive të tij nuk duhet të jetë në postin, që mban sot”. Gjenerali, i shkolluar në Itali dhe në BS në akademinë “Voroshillov” të Moskës, merakoset fort për punët partiake, saqë nuk kursen as shefin e tij, që është dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë dhe kryeministër: “Enver Hoxha vet personalisht merret në shkallë të pamjaftueshme me punët e partisë”. Problemi është, sipas Mehmet Shehut, se edhe për punët e partisë Hoxha i beson Tuk Jakovës. Shehu arrin kulmin në ankesën e tij kur akuzon Enver Hoxhën se i kushtonte shumë më tepër vëmendje punës në qeveri dhe “madje kujdeset që mos ndodhë qoftë dhe gjëja më e vogël pa dijeninë e tij”.
“KRITIKA NUK ËSHTË NË MODË”
Por në fjalët e Mehmet Shehut shihet njëfarë nervozizmi dhe pesimizmi, teksa i transmeton Moskës mesazhin që “në të ardhmen ai nuk ka ndërmend të kritikojë as në byronë politike, as në plenum gabimet e anëtarëve të veçantë të byrosë politike. Në byronë politike tani për tani kritika nuk është në modë”. Për të argumentuar tezën e vetë se Hoxha ishte autoritarist dhe nuk pranonte kritika nga askush, Mehmet Shehu përmend faktin se “kur më 31 janar në fund të mbledhje së byrosë politike Liri Belishova deklaroi se pas fjalimit të Enver Hoxhës asaj i ishte krijuar përshtypja se ai më shumë i kushton vëmendje punës në Këshillin e Ministrave, atëherë Enver Hoxha e ka ndërprerë me vrazhdësi dhe i ka thënë se ai e di punën e tij”.
INSTRUKTAZHI
Por kryediplomati sovjetik në Tiranë nuk e lë në baltë Mehmet Shehun. Për ta përdorur bashkëbiseduesin si kundër Tuk Jakovës, Bedi Spahiut, deri dhe ndaj Enver Hoxhës, e qorton dhe naquan të gabuar qëllimin e tij për të hequr dorë nga kritika e gabimeve të anëtarëve të veçantë të byrosë politike. Çuvahini e instrukton Mehmet Shehun se në se ai mendonte se kishte të drejtë në kritikën e tij, atëherë për këtë gjë duhet të këmbëngulte deri në fund dhe se nëse në byronë politike nuk ishin dakord me atë, ai kishte mundësinë të shprehte pikëpamjet e veta në plenumin e KQ. Ai e garantoi se nuk do ta pengonte askush që t’u lexonte të gjithë anëtarëve të byrosë politike kryeartikullin e gazetës “Për një paqe të qëndrueshme, për një demokraci popullore” të 5 janarit të vitit 1951.
KULISAT
Disa kulisa të tjera në ditët në vazhdim në ndërtesën e misionit sovjetik dhe të në selinë e KQ të PPSH-së, u kurorëzuan në plenumin IX, më 21 shkurt 1951, kur Enver Hoxha deklaroi se “Tuku ka një përgjegjësi të rëndë, sepse nuk e ka kryer punën dhe kështu nuk e ka merituar detyrën e madhe që i ka ngarkuar Partia si sekretar i Komitetit Qendror për punën me kuadrot. Tuku sjell edhe të tjerë për ta dobësuar edhe më tepër Partinë. Tuku nuk mund të justifikohet me butësinë që ka. Tuku fut njerëz në Parti pa i parë mirë ata se cilët janë. Për forcimin e vigjilencës, Tuku kurrë nuk ka menduar si duhet. Me punën e tij Tuku e ka dëmtuar rëndë Partinë dhe kjo punë e dobët është reflektuar edhe në punën e Byrosë Politike”. Pavarësisht se mbeti nënkryeministër, Jakova u përjashtua nga Byroja Politike. Por ky ishte akti i parë i dramës së likuidimit të Tuk Jakovës. Pas 4 vjetësh, më 17 qershor 1955, u zhvillua plenumi i KQ PPSH. Enver Hoxha akuzoi Jakovën për lidhje me katolikët dhe veprimtari revizioniste. Plenumi i përjashtoi Jakovën dhe Spahiun nga KQ si deviatorë. Më 24 qershor shkarkohen nga detyra Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu. Jakova arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg, Spahiu internohet. Në nëntor të po këtij viti, Tuk Jakovën bashkë me familjen e internuan në Berat, ku vetëm pas dy muajsh, në vitin 1957, e izoluan në kalanë e Kaninës. Në vitin 1958 akuzohet për tradhti të lartë ndaj atdheut, për agjitacion e propagandë dhe në bashkim të akuzave dënohet me 20 vjet heqje lirie. Vdes në 26 gusht të vitit 1959 në rrethana, që mbeten ende të dyshimta.
Dokumenti / Kabllogram i shefit të misionit sovjetik në Tiranë D.S. Çuvahin, biseda me anëtarin e byrosë politike të KQ të PPSH M. Shehu mbi “gabimet” e T. Jakovës
Tiranë
1 shkurt 1951
SEKRET
Prita Mehmet Shehun me kërkesën e tij. Ai erdhi të ndajë përshtypjet e tij mbi rezultatet e diskutimit dyditor në byronë politike [Mbledhja e byrosë politike të KQ PPSH u zhvillua më 30-31 janar 1951. Në fjalimin e 30 janarit E. Hoxha përcaktoi qëllimin e mbledhjes – “analiza e punës sonë. Çështjet, që janë paraqitur këtu, nuk janë të reja për ne, me to secili është njohur dhe më parë. Megjithatë na duhet t’i analizojmë përsëri për të përmirësuar punën tonë. Ne kemi parë se gjithë këto vitet e fundit plani ekonomik nuk është realizuar dhe shkak për këtë janë mangësitë tona. Kur kemi diskutuar rezultatet e realizimit të planit dyvjeçar në Këshillin e Ministrave, gjithmonë e më tepër më është forcuar bindja për nevojën e një analize të të gjithë punës sonë në byronë politike. Gjithmonë kam pasur parasysh se në Këshillin e Ministrave ne nuk mund të diskutojmë disa probleme partie”. Por gjatë diskutimit kritika e të metave u përqendrua mbi Tuk Jakovën, që përgjigjej në udhëheqjen e partisë për çështjet e kuadrit – shënim i botuesit rus]. Ai tha se për arsye se unë e di përmbajtjen e fjalimeve të veçanta në byronë politike [M. Shehu u referohej hapur takimeve të të dërguarit sovjetik me anëtaren e byrosë politike të KQ PPSH L. Belishova, të zhvilluara më 30 dhe 31 janar 1951 me iniciativën e D. Çuvahinit. L. Belishova ka informuar hollësisht diplomatin sovjetik për zhvillimin e diskutimit, duke i treguar përshtypjet e veta], ai nuk e quan të nevojshme të flasë edhe një herë për këtë gjë. Ai vetëm do të donte të thoshte se diskutimet që u bënë në byronë politike nuk i kanë lënë aspak përshtypje të mirë. Para së gjithash kjo përshtypje e keqe ka të bëjë me pozicionin, që ka marrë Enver Hoxha lidhur me gabimet e Tuk Jakovës. Sipas mendimit të Mehmet Shehut, Enver Hoxha gabon kur mendon se Tuk Jakova ka lejuar në mënyrë të pandërgjegjshme gabime, për të cilat u fol në byronë politike. Mehmet Shehu është i mendimit se në rastin e Niazi Islamit Tuk Jakova është në opozicion me vendimin e plenumit V të KQ të partisë. Enver Hoxha nuk do, sipas fjalëve të Mehmet Shehut, të kuptojë se Tuk Jakova gjatë punës jo vetëm shfaq oportunizëm, por dhe në përgjithësi për shkak të cilësive të tij nuk duhet të jetë në postin, që mban sot. Gabimet e Tuk Jakovës, për të cilat u fol në byronë politike, tha Mehmet Shehu, nuk janë të reja për partinë. Qysh në plenumin XI të KQ (shtator 1948) u përmendën shumë nga këto gabime të Tuk Jakovës. Por që atëherë kaluan mbi dy vjet, por, pa u vënë në dukje nëse Tuk Jakova është korrigjuar në këtë drejtim. Mehmet Shehu mendon se, në qoftë se Tuk Jakova do të vazhdojë të mbetet në udhëheqjen e punës së aparatit të KQ, nuk do të kryhet puna e partisë, dhe se nuk mund të bëhet fjalë për realizimin e pesëvjeçarit. Sipas fjalëve të Mehmet Shehut, Enver Hoxha vet personalisht merret në shkallë të pamjaftueshme me punët e partisë dhe se në këtë drejtim ai i beson Tuk Jakovës. Dhe për sa i përket punës së Enver Hoxhës në qeveri, ai i kushton shumë më tepër vëmendje dhe madje kujdeset që mos ndodhë qoftë dhe gjëja më e vogël pa dijeninë e tij. Sipas mendimit të Mehmet Shehut, dhe ajo kritikë e kufizuar, që drejtoi Enver Hoxha në adresë të Tuk Jakovës, u bë vetëm për shkak se Enver Hoxha si sekretar i përgjithshëm nuk mund të mos kritikonte Tuk Jakovën [Duke kritikuar Tuk Jakovën për “rehatllëk”, që çon në oportunizëm, moskokëçarje për punën (“Tuk Jakova nuk e ka kryer detyrën e tij si punonjës me përgjegjësi në aparatin e KQ”), E. Hoxha theksoi gjithashtu se përgjegjësia për të metat nuk mund t’i ngarkohet vetëm Jakovës, se “ai është komunist i mirë, bolshevik”. Por më 2 shkurt 1951 në një bisedë me Çuvahinin E. Hoxha tha se fjalimi i tij në byronë politike mbi gabimet e Tuk Jakovës “kishte më tepër një karakter sentimental dhe psikologjik se sa politik”. Ai e konsideroi të nevojshme të nënvizonte para diplomatit sovjetik “karakterin delikat” të kësaj çështjeje, si edhe faktin se “ai personalisht ai dhe më parë e konsideron Tuk Jakovën një shok të mirë dhe besnik të partisë”. “Karakteri delikat” i çështjes, sipas fjalëve të Hoxhës, lidhet para së gjithash me faktin se Jakova ka dalë nga ambient punëtorësh, vetë ka qenë punëtor. Përveç kësaj, ai përfaqëson në qeveri veriun katolik, emri i tij ishte popullor mes katolikëve shqiptarë. Në rast lirimi nga detyra në KQ në vend të Jakovës ka mundësi të vendoset “vetëm një intelektual”. Dokumentet tregojnë se pozicioni i E. Hoxhës kundrejt T. Jakovës u përcaktua akoma më qartë gjatë punës me raportin për plenumin e KQ PPSH të 12 shkurtit 1951. Në këtë kohë ai ka biseduar vazhdimisht me M. Shehun, i prirur të mbante qëndrim të ashpër kritik ndaj T. Jakovës. Më 7 shkurt 1951, pas takimit me M. Shehun, D. Çuvahin shënoi në ditar: “Sipas fjalëve të Mehmet Shehut, si rezultat i këtyre bisedave, ai krijoi përshtypjen e fortë se Enver Hoxha kishte ardhur në përfundimin për nevojën e lirimit të Tuk Jakovës nga detyra e sekretarit të KQ të partisë. Tani, – tha Mehmet Shehu – Enver Hoxha, duke punuar mbi raportin e tij për plenumin e ardhshëm të KQ, u ndodh në situatë të vështirë. Ai nuk e di ende se si do t’i parashtrohet plenumit çështja e Tuk Jakovës. Këtë gjë Enver Hoxha sikur ia ka thënë Mehmet Shehut. Sipas të fjalëve të këtij të fundit, Enver Hoxha ka kuptuar se nuk ia vlen që në një post të tillë të rëndësishëm të lihet një punonjës kaq i javashëm, sikurse është Tuk Jakova. Para partisë qëndrojnë problemet shumë të rëndësishme ekonomike dhe shtetërore. Me njerëz të tillë, si Tuk Jakova, si zor që partia do të jetë në gjendje të zgjidhë me sukses këto probleme. Sipas Mehmet Shehut, ai pretendon se i ka thënë drejtpërdrejt Enver Hoxhës se është plotësisht dakord me mendimin e tij mbi nevojën për zëvendësimin e Tuk Jakovës, duke e lënë atë, megjithatë, nënkryeministër. Mehmet Shehu tha më tej se Enver Hoxha e ka konsideruar atë një nga kandidatët e mundshëm për vendin e Tuk Jakovës” – shënim i botuesit rus]. Lidhur me pozicionin e Enver Hoxhës në përkrahje të Tuk Jakovës, Mehmet Shehu tha se në të ardhmen ai nuk ka ndërmend të kritikojë as në byronë politike, as në plenum gabimet e anëtarëve të veçantë të byrosë politike. Ai tha se në byronë politike tani për tani kritika nuk është në modë, dhe se kur më 31 janar në fund të mbledhje së byrosë politike Liri Belishova deklaroi se pas fjalimit të Enver Hoxhës asaj i ishte krijuar përshtypja se ai më shumë i kushton vëmendje punës në Këshillin e Ministrave, atëherë Enver Hoxha e ka ndërprerë me vrazhdësi dhe i ka thënë se ai e di punën e tij.
Pasi e falënderova Mehmet Shehun për këtë informacion, i thashë se qëllimi i tij për të hequr dorë nga kritika e gabimeve të anëtarëve të veçantë të byrosë politike si zor se mund të quhet e drejtë. Në qoftë se ai mendon se ka të drejtë në kritikën e tij, atëherë – vazhdova unë – për këtë gjë duhet të këmbëngulë deri në fund dhe se nëse në byronë politike nuk janë dakord me atë, atëherë ai e ka mundësinë të shprehë pikëpamjet e veta në plenumin e KQ. Për këtë i përmenda Mehmet Shehut kryeartikullin e gazetës “Për një paqe të qëndrueshme, për një demokraci popullore” të 5 janarit të vitit 1951, i cili (artikull), mua më duket se, lidhur me diskutimet që u zhvilluan në byronë politike para dy ditësh, merr një rëndësi të veçantë. I thashë se nuk do ta pengonte askush që këtë artikull t’ua lexonte të gjithë anëtarëve të byrosë politike.
Me kaq biseda u mbyll.
I DËRGUARI I BRSS NË SHQIPËRI Dm. Çuvahin.
[Marrë nga korpusi me dokumente “Sovjetskij faktor v Vostoçnoj Evrope 1944-1953. T. 2. 1949-1953. – Faktori sovjetik në Evropën Lindore 1944-1953. V. 2. 1949-1953”. ROSSPEN, M. 2002. Përkthimi nga origjinali është i autorit të shkrimit.]
Info/ Kronologjia
30 janar 1951
▄ I dërguari i BRSS në Shqipëri, D. Çuvahin, me të marrë vesh se një ditë më parë, më 29 janar, në byronë politike u bënë diskutime për punën e anëtarëve të veçantë të byrosë politike të KQ PPSH, ftoi në mision Liri Belishovën. Liri Belishova tha se kishte kritikuar Tuk Jakovën dhe se kishte mbështetur kritikat e Mehmet Shehut kundër Jakovës për paaftësi, oportunizëm në qëndrimin ndaj trockistëve dhe klerit katolik. U kritikua për oportunizëm dhe Bedri Spahiu. Meqenëse byroja politike do të vazhdonte mbledhjen dhe më 30 janar, kryediplomati sovjetik i kërkoi Liri Belishovës të shkonte në mision të nesërmen, më 31 janar.
31 janar 1951
▄ Sipas një shënimi të botuesit rus të dokumenteve të Çuvahinit, Liri Belishova ka shkuar në misionin sovjetik, ku ajo ka informuar për vazhdimin e mbledhjes së byrosë politike. Dokumenti për bisedën e 31 janarit nuk është deklasifikuar.
▄ D. Çuvahini takon Enver Hoxhën me kërkesën e këtij të fundit, i cili “do të donte të fliste shkurt për rezultatet e diskutimeve në byronë politike të zhvilluara më 29 dhe 30 janar”. Për Enver Hoxhën, Mehmet Shehu “e kishte përgatitur diskutimin e tij në mënyrë shumë të njëanshme dhe u mjaftua kryesisht me kritikën e gabimeve të Tuk Jakovës”. Ai tha se “Tuk Jakovën e kemi shokun tonë të vjetër luftarak, është komunist bolshevik”. Çuvahini e kishte pyetur Enver Hoxhën nëse ishin dakord të gjithë anëtarët e byrosë me konkluzionet e diskutimeve. Bashkëbiseduesi iu përgjigj me “po”.
1 shkurt 1951
▄ Enver Hoxha takon Mehmet Shehun, i cili i ka shprehur pakënaqësinë për mbrojtjen që i bënte Tuk Jakovës.
▄ Në orën 16, 15 Çuvahini pret Enver Hoxhën me kërkesën e këtij të fundit. Ai tha se pas pyetjes që i bëri në bisedën e 31 janarit se a mbetën të kënaqur të gjithë anëtarët e byrosë politike nga përfundimet e diskutimeve, pranoi se me konkluzionet e tij në byronë politike më 30 janar, ishin dakord të gjithë anëtarët e saj, me përjashtim të Mehmet Shehut dhe, pjesërisht, të Liri Belishovës. Ndryshimi në mendime midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut kishte të bënte vetëm me një problem, për qenien e Tuk Jakovës si sekretar i KQ të partisë. Enver Hoxha tha se, me sa shihej, për problemin e Tuk Jakovës do të vendosej në varësi të diskutimeve.
▄ D. Çuvahini pret Mehmet Shehun me kërkesën e këtij të fundit (shih dokumentin në numrin e sotëm).
2 shkurt 1951
▄ D. Çuvahini pret E. Hoxhën, i cili tha se fjalimi i tij në byronë politike mbi gabimet e Tuk Jakovës “kishte më tepër një karakter sentimental dhe psikologjik se sa politik”. Ai e konsideroi të nevojshme të nënvizonte “karakterin delikat” të kësaj çështjeje, si edhe faktin se “ai personalisht ai dhe më parë e konsideron Tuk Jakovën një shok të mirë dhe besnik të partisë”. Jakova ka dalë nga ambient punëtorësh, vetë ka qenë punëtor. Përveç kësaj, ai përfaqëson në qeveri veriun katolik, emri i tij ishte popullor mes katolikëve shqiptarë. Në rast lirimi nga detyra në KQ në vend të Jakovës ka mundësi të vendoset “vetëm një intelektual”. Këto janë citime të botuesit rus, kurse dokumenti i plotë nuk është deklasifikuar.
7 shkurt 1951
▄ D. Çuvahini takon Mehmet Shehun, cili ka thënë se si rezultat i disa bisedave, ai krijoi përshtypjen se Enver Hoxha kishte vendosur të lironte Tuk Jakovën nga detyra e sekretarit të KQ të partisë. Duke punuar mbi raportin e tij për plenumin e ardhshëm të KQ, Enver Hoxha u vu në situatë të vështirë. Mehmet Shehu tha se Enver Hoxha e ka konsideruar atë një nga kandidatët e mundshëm për vendin e Tuk Jakovës (citimet janë marrë nga shënimi i botuesit rus, kurse dokumenti i plotë nuk është deklasifikuar).
21 shkurt 1951
▄ Në plenumin IX e KQ, Enver Hoxha thotë se Tuku ka një përgjegjësi të rëndë, sepse nuk e ka kryer punën dhe kështu nuk e ka merituar detyrën e madhe që i ka ngarkuar Partia si sekretar i Komitetit Qendror për punën me kuadrot. Tuku sjell edhe të tjerë për ta dobësuar edhe më tepër Partinë. Tuku nuk mund të justifikohet me butësinë që ka. Tuku fut njerëz në Parti pa i parë mirë ata se cilët janë. Për forcimin e vigjilencës, Tuku kurrë nuk ka menduar si duhet. Me punën e tij Tuku e ka dëmtuar rëndë Partinë dhe kjo punë e dobët është reflektuar edhe në punën e Byrosë Politike.
U përjashtua si anëtar i Byrosë Politike, por mbeti nënkryeministër.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





