20 ditë para se të bëhej kryeministër, Mehmet Shehu ankohej tek ambasada sovjetike për ministrat e Enver Hoxhës. “Dyrrah”-u boton kabllogramin sekret të shefit të përfaqësisë diplomatike të Moskës në Tiranë. Zbardhet biseda e korrikut 1954 me njeriun nr. 2 regjimit shqiptar që akuzon ministrin e atëhershëm të Industrisë dhe Ndërtimit të kabinetit Hoxha se nuk zbatonte vendimet e plenumit të 2 muajve më parë

 DURRËS, 12 gusht 2013 – Më 1 korrik 1954 Mehmet Shehu, akuzonte në ambasadën sovjetike Spiro Kolekën. Kështu kishte vepruar më 1 shkurt 1951 kur kërkonte me këmbëngulje të shkarkohej Tuk Jakova dhe t’i mblidheshin rripat Enver Hoxhës, që na qenkësh sentimental me Jakovën dhe nuk merrej shumë me punët e partisë. Po botojmë një kabllogram të ambasadorit sovjetik në Tiranë Kliment D. Ljoviçkin, i cili pasoi në këtë post Dmitri S. Çuvahin-in (1903-1997), shef i misionit në Tiranë në periudhën 12 dhjetor 1945-16 mars 1952. Gjithsesi, arkivat ruse ruajnë shumë dokumente me interes për vitet ’50, por nuk janë deklasifikuar. Për shembull, Moska publikon vetëm një procesverbal bisede të Mehmet Shehut me Ljoviçkinin kur ka pasur disa të tilla, sikurse thotë Enver Hoxha, pasi: “me ambasadën sovjetike lidhjet i mbante drejtpërdrejt vetë Mehmet Shehu, duke shfrytëzuar me lehtësi marrëdhëniet e mira që kishim ne në atë kohë me Bashkimin Sovjetik”. Po Enver Hoxha pranon, se pikërisht në vitet 1954-1955, ka pasur disa takime me këtë ambasador për problemin jugosllav apo për një incident, që përmend diktatori, midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, kur ky i fundit i ankohet ambasadorit sovjetik për liderin e Tiranës. Ndërkaq, nuk mund të spekulohet për arsyet e mospublikimit të mijëra dokumenteve, që mund të hedhin dritë për shumë mistere të epokës komuniste. 

EKONOMIA

Më 1 korrik 1954, sipas ambasadorit K.D. Ljoviçkin, Mehmet Shehu deklaronte se “ishte i pakënaqur nga puna e ministrisë të Ekonomisë [në të vërtet, nuk kishte ndonjë ministri me emër të tillë, por mund të bëhet fjalë për disa ministri që merreshin me ekonominë], në veçanti nga ministria e Industrisë dhe Ndërtimit, si dhe nga ministri Spiro Koleka”. Duhet pasur parasysh, se më 1 korrik 1954, kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe ministër i Mbrojtjes ishte vet sekretari i përgjithshëm i partisë, Enver Hoxha. Atë ditë në përfaqësinë diplomatike të Moskës Mehmet Shehu vinte si sekretar i KQ të PPSH, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme. Takimin e kishte kërkuar vet Shehu, i cili ishte në pritje, që pas 20 korrikut, të emërohej Kryeministër, pas ndarjes së postit të sekretarit të përgjithshëm të PPSH Enver Hoxha nga funksionet qeveritare. Kjo ndarje pushtetesh është diktuar nga Nikita Hrushovi, siç ka lënë të kuptohet “Komandanti” në librin “Hrushovianët”. Dorëzimin e ekzekutivit Enver Hoxha e ka deklaruar më 12 korrik 1954 në Plenumin XI të partisë. Nuk dihet nëse për çka do të informonte BS-në, Shehu kishte lejen e Hoxhës. Ky i fundit ka pranuar se “me ambasadën sovjetike lidhjet i mbante drejtpërdrejt vetë Mehmet Shehu, duke shfrytëzuar me lehtësi marrëdhëniet e mira që kishim ne në atë kohë me Bashkimin Sovjetik”. 

INXHINIERI

Spiro Koleka ishte një inxhinier i njohur ndërtimi i diplomuar në Universitetin italian të Pizës (Pisa), ushtarak dhe politikan i lartë komunist. Prandaj tingëllon e çuditshme ankesa e Mehmet Shehut, edhe ai vet me formim perëndimor. Për më tepër, inxhinier Koleka është konsideruar nga shtypi vendës dhe i huaj si arkitekti kryesor i zhvillimit industrial, shtylla kurrizore e programit të PPSH-së pas Luftës II Botërore. Në vitet 1944-48 ka qenë ministër i Punëve Botore (Publike); në vitet 1948-49 ministër i Komunikacioneve, më 1948-50 kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, më 1949-53 zëvendëskryeministër, në mars-korrik 1950 sërish ministër i Punëve Publike, më 1953-1954 ministër i Industrisë dhe Ndërtimit në kabinetet e kryesuara nga Enver Hoxha. Por për Mehmet Shehun “ministritë nuk kishin marrë asnjë masë për vënien në jetë të vendimeve të plenumit të prillit të PPSH [Plenumi X, 16-18 prill 1954]”. Ljoviçkin raporton: “Duke folur mbi përmirësimin e punës në ndërmarrjet industriale, rrjetin e tregtisë, si dhe përmirësimin e drejtimit nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, Shehu tha se në asnjë ministri këto probleme nuk u diskutuan në kolegjiumet e ministrive. Ndërsa punëtorët dhe personeli inxhinier e teknik i ndërmarrjeve industriale morën nisma dhe masa për realizimin e vendimeve të Plenumit të KQ, ministritë nuk e vunë ujin në zjarr për realizimin e këtyre vendimeve”.

E NJËJTA GJUHË

3 vjet më parë, më 1 shkurt 1951, Mehmet Shehu, në atë kohë anëtari i Byrosë Politike,  zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm shkon në selinë diplomatike sovjetike. Sipas një kabllogrami sekret të kreut të misionit, D. Çuvahin, Shehu paralajmëronte se: “nëse Tuk Jakova [1914-1959] do të vazhdojë të mbetet në udhëheqjen e punës së aparatit të KQ, nuk do të kryhet puna e partisë, dhe se nuk mund të bëhet fjalë për realizimin e pesëvjeçarit”! Shehu këmbëngulte me të madhe se “Tuk Jakova gjatë punës jo vetëm shfaq oportunizëm, por dhe në përgjithësi për shkak të cilësive të tij nuk duhet të jetë në postin, që mban sot”. Gjenerali merakosej fort për punët partiake, saqë nuk kursen as shefin e tij, që ishte dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë dhe kryeministër: “Enver Hoxha vet personalisht merret në shkallë të pamjaftueshme me punët e partisë”. Problemi është, sipas Mehmet Shehut, se edhe për punët e partisë Hoxha i beson Tuk Jakovës. Shehu arrin kulmin në ankesën e tij kur akuzon Enver Hoxhën se i kushtonte shumë më tepër vëmendje punës në qeveri dhe “madje kujdeset që mos ndodhë qoftë dhe gjëja më e vogël pa dijeninë e tij”. Mehmet Shehu aspironte të bëhej sekretar i KQ të PPSH, në vend të Jakovës.

SPOSTIMI

Në rastin e Jakovës Shehu pati sukses me ndihmën e Moskës. Pas 21 ditësh, 21 shkurt, në plenumin IX e KQ, pavarësisht se mbeti zëvendëskryeministër, Jakova u përjashtua nga Byroja Politike. Pas 4 vjetësh, më 17 qershor 1955, Plenumi i KQ përjashtoi Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun nga KQ si deviatorë. Më 24 qershor shkarkohen nga detyra si ministra. Jakova arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg. Në vitin 1958 akuzohet për tradhti të lartë ndaj atdheut, për agjitacion e propagandë dhe në bashkim të akuzave dënohet me 20 vjet heqje lirie. Vdes në 26 gusht të vitit 1959 në rrethana, që mbeten ende të dyshimta. Në rastin e Spiro Kolekës, Shehu arriti një fitore të vogël. Në kabinetin që i dorëzoi Enver Hoxha, pas 20 ditësh nga biseda me Ljoviçkinin, më 20 korrik 1954, ndodhën ndryshime. Ministria e Industrisë dhe Ndërtimit u nda në dy ministri: në atë të Industri-Miniera me ministër Koço Theodhosin (1913-1977) dhe në atë të Ndërtimit dhe Komunikacionit, me ministër Josif Pashkon (1918-1963). Kurse Spiro Kolekën e çuan kryetar të Komisionit të Planit të Shtetit. Me sa duket, Hoxha synonte të ulte sadopak zemërimin e pasardhësit të tij si kryeministër. Por ndryshe nga qëndrimi ndaj Jakovës, Enver Hoxha, një vit më pas, 1955, Kolekën ia “faturoi” Shehut si zëvendëskryeministër. Deri në fund inxhinieri ishte në majën e pushtetit, edhe kur Shehu në vitin 1981, u shpall armik i popullit dhe partisë, poliagjent, titist i fshehur, spiun i shërbimit sekret jugosllav. 

Info/ Dokumenti 1

Mehmeti, i pakënaqur nga ministrat e Enverit

Kabllogram mbi bisedën e ambasadorit të BRSS në RPSH K.D. Ljoviçkin*, me zëvendëskryeministrin e RPSH, M. Shehu, lidhur me vizitën e Enver Hoxhës në Moskë dhe raportet shqiptare-jugosllave

Tiranë, më 1 korrik 1954. Sekret. Kopje nr. 1

Më 1 korrik prita Mehmet Shehun me kërkesën e tij **. 

Shehu më kërkoi t’i bëj të ditur qeverisë sovjetike mbi qëllimin e qeverisë shqiptare për të dekoruar me medalje shqiptare kolonelin Serov, këshilltar pranë MPB-së [Ministria e Punëve të Brendshme] së Shqipërisë, i cili në tre vjet pune dha ndihmë të madhe në problemet e organizimit të shërbimit kufitar dhe në përgatitjen e kufitarëve shqiptarë dhe m’u lut ta informoja nëse kjo miratohej nga qeveria sovjetike.

I premtova Shehut se do t’i transmetoja qeverisë sovjetike kërkesën e tij.

Shehu më informoi shkurtimisht rreth mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PPSH***, në të cilën Enver Hoxha**** paraqiti një informacion mbi rezultatet e vizitës së tij në Moskë*****. Shehu informoi se Byroja Politike miratoi dhe i konfirmoi si gjithmonë në mënyrë unanime të gjitha këshillat dhe rekomandimet që ka marrë Hoxha në Moskë dhe i vlerëson si ndihmë të madhe të KQ të PKBS për problemet e përmirësimit të situatës në ekonomi dhe punës së aparatit të partisë e shtetit në vend.

Duke iu referuar raporteve shqiptare-jugosllave, Shehu tha se muajt e fundit konstatohet një ulje shumë e madhe e tendosjes në raportet shqiptare-jugosllave. Nëse për gjashtë muaj në vitin 1953 jugosllavët desantuan në territorin e Shqipërisë 40 banda spiunësh e diversantësh, në 6-mujorin e parë të vitit 1954 desantuan në total vetëm 3 banda. Janë reduktuar dukshëm provokacionet e jugosllavëve në kufirin shqiptar. Komisioni kufitar punon plotësisht në mënyrë normale. Të gjitha këto provojnë se aktet armiqësore të jugosllavëve kundër Shqipërisë u ulën së tepërmi.

Në vazhdim Shehu tha se ishte i pakënaqur nga puna e Ministri(së)ve të Ekonomisë [që merre-t/n me ekonominë?] dhe në veçanti nga ministria e Industrisë dhe Ndërtimit, si dhe nga ministri Spiro Koleka [1908-2001]. Ai informoi se ministritë nuk kishin marrë asnjë masë për vënien në jetë të vendimeve të plenumit të prillit të PPSH [Plenumi X, 16-18 prill 1954]. Duke folur mbi përmirësimin e punës në ndërmarrjet industriale, rrjetin e tregtisë, si dhe përmirësimin e drejtimit nga ana e Ministri(së)ve të Ekonomisë [që merre-t/n me ekonominë?], Shehu tha se në asnjë ministri këto probleme nuk u diskutuan në kolegjiumet e ministrive. Ndërsa punëtorët dhe personeli inxhinier e teknik i ndërmarrjeve industriale morën nisma dhe masa për realizimin e vendimeve të Plenumit të KQ, ministritë nuk e vunë ujin në zjarr për realizimin e këtyre vendimeve.

Për sa i takon situatës politike brenda vendit, Shehu tha, se deri para një muaji e gjysmë ka mbetur po ajo. Gjendja morale-politike e popullit është e mirë.

E falënderova Mehmet Shehun për informimin.

K. Ljoviçkin

Fusnota (shënime) të origjinalit rusisht:

*K.D. Ljoviçkin [sipas rregullave të standardit të anglishtes shkruhet “Levychkin” ose në veprat e Hoxhës“Leviçkin”, në origjinal: “Лёвычкин”] (1907-1984) në vitet 1952-1953 ishte i ngarkuar me punë i BRSS në Shqipëri, ndërsa në vitet 1953-1955 [saktësisht: 16 mars 1952 -7 dhjetor 1955] u ngrit në rangun e ambasadorit të BRSS po në Shqipëri. Në vitet 1955-1958 mbajti një post me përgjegjësi në aparatin qendror të MPJ të BRSS. Në vitin 1958 ishte zëvendës-përfaqësues i përhershëm i BRSS në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit. Në vitet 1958-1966 ishte zëvendësministër i Punëve të Jashtme i RSFSR-së [Republika Socialiste Federative Sovjetike Ruse, njësi e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike]. Në 1968-1973 ishte ambasador i BRSS në Greqi [Në shkurt të vitit 1968 regjimi ushtarak grek bëri gjestin e tij të parë në drejtim të Moskës. Athina dërgoi ambasadorin Angelos Vlahos për të zëvendësuar ish-ambasadorin G. Varzamis, i cili u tërhoq në vjeshtën e vitit 1967. Tërheqja pasoi nga një qëndrim armiqësor i shtypit dhe radios sovjetik, refuzimi i BS për të marrë pjesë në Panairin e Tregtisë në Selanik si dhe nga bojkotimi nga ana e BRSS i ngjarjeve kulturore greke. Në maj 1968, Moska vendosi të kthejë gjestin dhe dërgoi në Athinë një nga ekspertët e Ballkanit, më parë ambasador në Shqipëri. Kliment Ljoviçkin ishte diplomati i parë i rangut të ambasadorëve që dërgohet në Athinë nga një fuqi e madhe pasi junta mori pushtetin. (Radio amerikane Evropa e Lirë, 14 prill 1970)]. Nga viti 1977 në pension.

**Mehmet Shehu, (1913-1981) – [Mehmet Shehu në këtë bisedë vinte si sekretar i KQ të PPSH, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme në pritje, pas 20 korrikut, të emërimit Kryeministër, pas ndarjes së postit të Sekretarit të Përgjithshëm të PPSH Enver Hoxha  nga funksionet qeveritare si Kryeministër, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Ministër i Mbrojtjes me kërkesë të Nikita Hrushovit]. Nga viti 1954 ishte Kryeministër i  Shqipërisë. Nga viti 1948 – anëtar i KQ dhe i Byrosë Politike të KQ të Partisë së Punës të Shqipërisë (PPSH). Në vitet 1948-1953 – sekretar i KQ të PPSH. Në dhjetor të vitit 1981 bëri vetëvrasje. Pas vdekjes u shpall agjent i shërbimeve sovjetike dhe i shërbimeve të tjera të huaja.

***Partia e Punës e Shqipërisë u themelua në vitin 1941 (deri në vitin 1948 quhej Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila doli nga ilegaliteti pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit italianë fashistë). Pas vitit 1960 lidershipi i PPSH-së eci në kursin e daljes nga Komuniteti Socialist, duke prerë lidhjet me partitë komuniste e punëtore.

****Enver Hoxha (1908-1985) – Nga viti 1943 deri në 1981 Sekretar i Përgjithshëm (i Parë) i KQ të Partisë së Punës të Shqipërisë. Në vitet 1946-1954 Kryeministër i Shqipërisë.

*****E. Hoxha shkoi në Moskë në qershor të vitit 1954. Udhëtimi i tij në Moskë ka të bëjë me mundësinë e marrjes së ndihmave nga BS-ja, por edhe me drojën që kishte pas uljes së konsiderueshme të tensionit në marrëdhëniet BRSS-Jugosllavi.

Sqarim: Përkthimi, titulli dhe shënimet në kllapa katrore janë të autorit të shkrimit.

Marrë nga botimi “KPSS i formirovanije sovjetskoj politiki na Ballkanah v 1950-h – pervoj pollovine 1960-h gg.. (Sbornik dokumentov)” [Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe formimi i politikës sovjetike në Ballkan në vitet 1950-gjysma e para e viteve 1960. (Përmbledhje dokumentesh)], Paratiritis, Saloniki, 2003.

Dokumenti 2

Hoxha, nga Sekretar i Përgjithshëm tani Sekretar i Parë*

Nga “Komunikatë e Plenumit XI të Komitetit Qendror të PPS”

Më 12 korrik 1954 u mblodh Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Ai dëgjoi dhe diskutoi raportin Byrosë Politike, të mbajtur nga shoku Enver Hoxha, në lidhje me detyrat e forcimit të Partisë dhe përmirësimin e mëtejshëm të punës së Partisë dhe të aparatit të  shtetit.

Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë e aprovoi raportin e shokut Enver Hoxha si direktivë për të gjithë Partinë.

Plenumi suprimoi funksionin e mëparshëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë dhe e zgjodhi shokun Enver Hoxha Sekretar të Parë të Komitetit Qendror…

Plenumi studioi çështje të tjera në drejtimin e forcimit të punës së Partisë dhe të shtetit.

PLENUMI I KOMITETIT QENDROR TE PPSH

“Zëri i popullit”, Nr. 189 (1809), 17 korrik 1954

TEKSTET SHOQËRUESE TË FOTOVE:

Foto kryesore:  Ish-ndërtesa e ambasadës sovjetike në Tiranë. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, u shndërrua në “Muzeu V.I. Lenin J.V. Stalin”.

Fotot poshtë:

1. Enver Hoxha me Mehmet Shehun në Kongresin II të PPSH-së, 31 mars 1952. Dy ambiciozë, gjirokastriti 44 vjeç dhe mallakastrioti 39 vjeç, në krye të shtetit komunist. Kush do t’i hante kokën tjetrit pas 29 vjetësh (1981)? Hoxha nuk i harronte lehtë “spiunimet” e Shehut tek ambasada sovjetike në vitet 1951-1955.

2. Enver Hoxha mes ushtarakëve më10 korrik 1954, ndërsa përgatitej të dorëzonte postet qeveritare: Kryeministër, ministër i Mbrojtjes dhe Ministër i Jashtëm

3. Tetë Nëntor 1966. Enver Hoxha midis Mehmet Shehut (djathtas) dhe Spiro Kolekës (majtas). Ky i fundit jetoi edhe 20 vjet më tepër se Mehmet Shehu dhe 15 vjet më tepër se bashkëmoshatari i tij Enver Hoxha.

4. Spiro Koleka (1908-2001)

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/