DURRËS, 29 korrik 2014 – Punëtorët durrsakë, tiranas dhe shkodranë nuk kërkonin të hynin në parti, kështu kupola e regjimit jep alarmin në prag të prishjes më Moskën në shtator 1960.
Më 5-8 shtator 1960, nën kryesinë e diktatorit Enver Hoxha, u mblodh plenumi XVIII i komitetit qendror të PPSH për të shqyrtuar dhe miratuar raportin “Mbi disa çështje të punës organizative të Partisë”.
“Dyrrah”-u ka zbuluar në ish-arkivin e PPSH-së raportin, ku mes të tjerave, shprehet shqetësimi se “në disa organizata [partie], ku kemi si të thuash të përqendruar klasën punëtore, si në Tiranë, Durrës e Shkodër, ka ende pak kërkesa nga punëtorët për t’u pranuar në Parti dhe si rrjedhim duhet thënë se në këto rrethe përqindja e punëtorëve të ardhur në Parti, mbi numrin e përgjithshëm të punëtorëve që kanë, është nën përqindjen mesatare si republikë”.
Kjo gjendje ishte dhe në fshat; kështu në Bilalaj kishte afërsisht 10 apo më shumë vjet që s’ishin bërë pranime fare, thuhej në materialin sekret.
Në gjithë zonën rurale të Durrësit e Kavajës (kjo e fundit ishte në përbërje të rrethit të Durrësit) “gjatë 4 vjetëve ishin pranuar në Parti vetëm 4 shoqe nga fshati”, vë në dukje raporti.
Për shkak të prishjes së afërmi të marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik dhe gjithë bllokun lindor komunist, Enver Hoxhës dhe shpurës së tij i nevojitej përkrahja nga poshtë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





