– Kështu 30 vjet më parë ish-Bashkimi Sovjetik dhe vendet komuniste të Evropës “festuan” 40-vjetorin e çlirimit dhe tatuan pulsin e udhëheqjes shqiptare pasi të vdiste Enver Hoxha
– Një diplomat shqiptar i përshkroi këto hapje të Moskës si “tejet të rrezikshme” [Reuter, 26 nëntor 1984]
Nga THANAS MUSTAQI
DURRËS, 9 nëntor 2014 – Mbi 30 vjet më parë, më 31 mars 1984, kryetari i Komitetit të Sigurimit të Shtetit (KGB) të ish-Bashkimit Sovjetik Viktor Çebrikov i shkruante i alarmuar homologut të tij gjermanolindor të Shtazi-t (STASI) Erih Milke (Erich Mielke) me porosi që informacionin t’ia dorëzonte adashit, shefit të regjimit Erih Honeker (Erich Honecker): “Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë të nxisin aleatët e tyre të NATO-s të zgjerojnë kontakte me regjimin aktual shqiptar”.
Qendra amerikane Uillson Për Projektin e Historisë Ndërkombëtare të Luftës së Ftohtë [Wilson Center’s Cold War International History Project (CWIHP)] ka bërë publik një informacion të 31 marsit 1984 hartuar nga KGB-ja sovjetike dërguar Ministrisë së Sigurimit të Shtetit të Gjermanisë Lindore “Shtazi” rreth një vlerësimi të nivelit të lartë të politikës amerikane nga Departamenti i Shtetit. Direktiva presidenciale [NS-NSDD] 54 i [shtatorit] 1982 kishte objektiv kryesor të SHBA subersionin ndaj ndikimit sovjetik në Evropën Lindore.
“MBI ELEMENTËT E RINJ NË POLITIKËN AMERIKANE NDAJ VENDEVE SOCIALISTE TË EVROPËS”
Në dokumentin e titulluar “Mbi elementët e rinj në politikën amerikane ndaj vendeve socialiste të Evropës”, Lubjanka (selia famëkeqe e sigurimit sovjetik) thotë:
“Sipas një informacioni të besueshëm administrata e Reganit synon të miratojë politikën amerikane ndaj vendeve socialiste të Evropës në mënyrë që t’i ndajë nga BRSS-ja. Në këtë aspekt, propozimi i Departamentit amerikan të Shtetit në fund të vitit 1983 synon ndryshimin në një farë mase të taktikës për këtë çështje dhe për të nisur tashmë një “ofensivë të re amerikane në rajon”. Paraprakisht, taktikat janë shtjelluar në Direktivën Presidenciale nr. 54 mbi qasjet “e diferencuara” ndaj secilit prej këtyre vendeve. U miratua [më 2 shtator] 1982. Përmbajtja kryesore e propozimeve të reja të vitit1983 që ka bërë Departamenti amerikan i Shtetit”, synonte të gjitha vendet e bllokut lindor, ku Moska përfshin dhe Shqipërinë:
“Pavarësisht vetizolimit edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe nga Bashkimi Sovjetik, Shqipëria ka vendosur marrëdhënie diplomatike me afër 100 shtete, përfshirë të gjitha vendet e Evropës Perëndimore me përjashtim të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë Perëndimore. Gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria ka dalë përpara me disa nisma të vogla mjaft interesante në drejtim të perëndimit (ende jo vis-à-vis SHBA). SHBA-ja ende po lëviz në fazën fillestare të hartimit të një marrëveshjeje me Shqipërinë lidhur me pretendimet që rrjedhin nga Lufta e Dytë Botërore (çështje ari, etj.). Gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë të nxisin aleatët e tyre të NATO-s të zgjerojnë kontakte me regjimin aktual shqiptar”.
“BLLOKU SOVJETIK SHËNON PËRVJETORIN E ÇLIRIMIT TË SHQIPËRISË”
Por Moska nuk ka mbetur vetëm këtu, pasi ka bërë dhe ajo përçapje për t’u afruar me Tiranën
Radioja amerikane “Free Europe / Radio Liberty” me seli në Munih të Gjermanisë Përëndimore, medie e financuar nga Kongresi amerikan dhe CIA, shpërndante, më 30 dhjetor 1984, për përdorim të brendshëm, studimin “Blloku sovjetik shënon përvjetorin e çlirimit të Shqipërisë” (Soviet Bloc Countries Mark Albania's Liberation Anniversary) hartuar nga Louis Zanga.
Është interesant fakti:
“Fqinjë evropianë-lindorë të Shqipërisë, si dhe Bashkimi Sovjetik, u kanë kushtuar vëmendje të posaçme festimeve për 40-vjetorin [e Çlirimit] të Shqipërisë këtë vit [1984] nëpërmjet urimeve dhe pasqyrimit të gjerë në shtyp”.
Radioja amerikane vëren:
“Ka të ngjarë sikur të paktën disa nga këto përpjekje nga ana e ish-aleatëve të Tiranës kanë pasur si objektiv të ardhmen. Thirrjet e tyre për pajtim duket se i drejtoheshin brezit të udhëheqësve pas Enver Hoxhës”, i cili vdiq më 11 prill 1985.
Për amerikanët:
“Pasqyrimi i posaçëm i ngjarjes shqiptare nuk duhet parë veçse si shou i radhës i propagandës komuniste. Vëmendja e shtuar del në skenë për të qenë një përpjekje të përgjithshme për të joshur Shqipërinë të kthehet në vathën e bllokut lindor evropian, veçanërisht tani që Tirana ka rivendosur kontakte me disa vende jokomuniste. Ka më shumë të ngjarë që Tirana do të injorojë hapjet e reja nga Lindja. Tashmë kjo u duk sheshit në fjalimet në festimet e përvjetorit, në të cilat udhëheqësit shqiptarë përsërisnin qëndrimin e tyre të papajtueshëm ndaj Bashkimit Sovjetik dhe “revizionistëve” të tjerë”.
“Dyrrah”-u po përkthen vetëm pjesën kuë flitet për qëndrimin e Moskës, pasi në studim flitet për të gjitha vendet evropiane lindore, që kishin marrë udhër të rregullonin disi “pipëzat” me Shqipërinë.
Dokumenti / “Qasja e re sovjetike”
“Një gjest i ri këtë vit ishte përshëndetja që dërgoi Presidiumi i Sovjetit Suprem [kryesia e parlamentit sovjetik] Presidiumit [në kohën e komunizmit: Kryesia] të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, që shprehte dëshirën e Moskës për “miqësi dhe bashkëpunim” me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Më 28 nëntor [e përditshmja e Partisë Komuniste të BS] “Pravda” botoi një shkrim për përvjetorin (që nuk fajësonte asnjërën palë për prishjen e marrëdhënieve), duke përsëritur pozicionin e e Moskës, garantonte miqësinë dhe bashkëpunimin e saj, si dhe deklaronte se nuk kishte “vështirësi të pakapërcyeshme” që qëndronin në rrugën e marrëdhënieve normale midis dy vendeve. Më 30 nëntor [e përditshmja e qeverisë sovjetike] “Izvestija” kishte një artikull të titulluar “Ditë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë”. Në të thuhej se shqiptarët po punonin për të përmbushur objektivat e planit të tyre të shtatë pesëvjeçar dhe se sovjetikët po ndjekin përpjekjet e tyre me “vëmendje dashamirëse”. Termi “dashamirës” është një fjalë kyç në politikën e tanishme të jashtme të Shqipërisë dhe është përdorur, për shembull, kur Tirana deklaron që ajo dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me të gjitha ato vende që janë “dashamirëse” ndaj Shqipërisë.
Vendet e bllokut sovjetik shmangnin me kujdes përmendjen e udhëheqjes së tanishme shqiptare dhe të Enver Hoxhës, arkitekti i 40 vjetëve të komunizmit shqiptar. Duket se Tirana nuk i kalon këto sondazhe politike me shpërfillje. Një diplomat shqiptar i përshkroi këto hapje të Moskës ndaj Shqipërisë, për një agjenci telegrafike perëndimore në Vienë, si “tejet të rrezikshme” [Reuter, 26 nëntor 1984]”
Shënim: sqarimet në kllapat katrore janë të “Dyrrah”-ut.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





