Arkivi i “Dyrrah”-ut / Tre muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës, kështu deklaronte kryeministri Adil Çarçani: E palejueshme ajo gjendje e madhe e mallrave në depot e Shkozetit në një kohë kur deficitet në bilancin valutor janë të ndjeshme

DURRËS, 16 prill 2013 –Tre muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës, Durrësi po dëshmonte për agoninë e regjimit komunist, teksa në magazinat gjigante të tregtisë së jashtme ishin bllokuar mallra për eksport me vlerë qindra milionë dollarë.

Duke qenë se porti i Durrësit përballonte mbi 90 për qind të qarkullimit të mallrave me transport detar, shteti komunist kishte ndërtuar në Shkozet dhe rrethina të qytetit magazina të mëdha të “bazave të furnizimit materialo-teknik” të ministrive, ku depozitoheshin mallra importi për nevojat e të gjitha ndërmarrjeve e institucioneve të vendit.

Po ashtu, edhe ministria e Tregtisë së Jashtme kishte magazina në varësi të saj, ku depozitoheshin transit mallra kryesisht për eksport.

Më 8-9 korrik 1985, nën drejtimin e Ramiz Alisë, pasuesit të Enver Hoxhës, u mblodh Plenumi i 12-të i Komitetit Qendror të PPSH, i cili mori në shqyrtim raportin e Byrosë Politike të Komitetit Qendror “Të luftohet për realizimin frontal të detyrave të planit me një regjim të fortë kursimi”, mbajtur nga anëtari i Byrosë Politike dhe Kryetar i Këshillit të Ministrave të RPSSH, Adil Çarçani.

Në fillim të raportit ka një dozë propagandistike: “Kaluan tre muaj nga dita kur u nda fizikisht nga ne shoku Enver. Gjatë kësaj kohe gjithë punonjësit e vendit tonë dhimbjen e papërshkruar e kanë kthyer në forcë të madhe, siç na mësonte e na frymëzonte vetë ai. Këtë ata po e shprehin çdo ditë e më shumë me nismat, zotimet e lëvizjet revolucionare në fushën e prodhimit, të edukimit e në veprimtari të tjera shoqërore, përgjithësisht në qëndrimin ndaj punës e pronës socialiste, për fuqizimin e ekonomisë dhe mbrojtjen e fitoreve të arritura”.

Numërohen disa “suksese”, por materiali nuk fsheh dot tablonë e zymtë në shumë sektorë të ekonomisë.

“Nuk është e lejueshme ajo gjendje e madhe e mallrave për eksport që është krijuar në depot e Durrësit në një kohë kur deficitet në bilancin valutor janë të ndjeshme”, thoshte kryeministri i vendit, Adil Çarçani.

Në këtë pjesë të raportit të Qeverisë mëson dhe për marrëzitë e planifikimit për materiale importi: “Nuk janë të pakta rastet që, megjithëse një mall mbetet pa u përdorur, siç ishte rasti i sojës ose i orizit në organet e grumbullimit, i llamarinës në kantierin detar e në disa uzina mekanike etj., artikuj të tillë kërkohen e vihen në planet e importit, sepse si vetë rrethet, ashtu edhe dikasteret nuk e kanë si duhet nën kontroll gjendjen e mallrave në depo e aq më pak shpërndarjen e përdorimin e tyre”.

“Dyrrah” citon paragrafin kureshtar nga raporti i plenumit të 8-9 korrikut 1985 të Byrosë Politike të Komitetit Qendror “Të luftohet për realizimin frontal të detyrave të planit me një regjim të fortë kursimi”, ku flitet për agoninë e ekonomisë shqiptare në magazinat e Durrësit.

Dokumenti

Detyra e organeve prodhuese është jo vetëm të realizojnë sipas planit mallrat për eksport, por edhe t’i dorëzojnë ato në kohë e me cilësi në organet e tregtisë së jashtme, të cilat të sigurojnë nisjen e tyre te blerësit në një kohë sa më të shpejtë.

Nuk është e lejueshme ajo gjendje e madhe e mallrave për eksport që është krijuar në depot e Durrësit në një kohë kur deficitet në bilancin valutor janë të ndjeshme.

Ministria e Tregtisë së Jashtme të ndjejë më thellë përgjegjësinë që ka, jo vetëm për shitjen më shpejt të tyre, por të luftojë shumë më tepër se deri tani për të gjetur tregje të leverdishme edhe për mjaft mallra të reja, disa prej të cilave si minerale, materiale inerte e ndërtimi, ujë i pijshëm, bimë dhe esenca të florës sonë e artikuj të tjerë, vihen në plan prej vitesh, por nuk po u gjendet treg shitjeje.

Organet e tregtisë së jashtme të tregohen më të zgjuara e më të shkathëta për shitjen e mallrave tona të eksportit, të çajnë e të futen patjetër në më shumë tregje jo vetëm të Evropës, por edhe në Afrikë, në Azi, në Oqeani etj., ku pothuajse nuk janë futur fare.

Në të njëjtën kohë të shtojnë përpjekjet e tyre për uljen e mallrave të importit, duke u bërë barrikadë për ato mallra që mund të sigurohen në vend nga gjendja ose nga prodhimi i ri.

Nuk janë të pakta rastet që, megjithëse një mall mbetet pa u përdorur, siç ishte rasti i sojës ose i orizit në organet e grumbullimit, i llamarinës në kantierin detar e në disa uzina mekanike etj., artikuj të tillë kërkohen e vihen në planet e importit, sepse si vetë rrethet, ashtu edhe dikasteret nuk e kanë si duhet nën kontroll gjendjen e mallrave në depo e aq më pak shpërndarjen e përdorimin e tyre.

Deficitet e vitit të kaluar [1984], si dhe ato të deritanishme jo vetëm që kanë ndikuar në uljen e importeve tona, por na kanë detyruar të përdorim edhe rezerva valutore e të preket bilanci valutor i vendit. Kjo duhet kuptuar e vlerësuar thellë politikisht dhe ekonomikisht dhe të punohet që çdo detyrë që vihet për eksport-importin e mallrave, me çdo kusht të realizohet.

Organet dhe organizatat-bazë të Partisë, në të gjitha degët e ekonomisë e të kulturës, të ndjekin e të kontrollojnë me përgjegjësi gjithë punën që duhet të bëjnë organet ekonomike dhe ato shtetërore për rritjen e eksportit dhe uljen e importit, duke e kuptuar e realizuar seriozisht në praktikë direktivën e Partisë se pa eksport nuk ka import.

Ato vetë dhe levat e tyre të analizojnë në çdo hallkë gjendjen dhe të marrin masa të plota për të vepruar energjikisht dhe me iniciativë për përmirësimin e bilancit valutor të çdo dege të ekonomisë e të çdo rrethi për ta ndryshuar sa më shpejt gjendjen aktuale të pakënaqshme”.

/th.m. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/