Teksa në prangat e policisë ra Martina Pajollari, e reja që u bë “mollë sherri” mes të rinjve që çoi në vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço, babai i këtij të fundit ka rrëfyer se çfarë ka ndodhur si dhe momentet e fundit me të birin, i cili u vra mbrëmjen e 12 qershorit.
Nevzat Çeço i përlotur flet për pesona të tjerë të cilët në këmbim të parave do të bëheshin mblesë për të fejuar djalin me Martina Pajollarin, që në zonë e njohin Tina.
“Kjo i bënte vjersha në celular. Mua ma ha mendja që në këtë ka gisht më shumë ai që i ka marrë lekë djalit dhe një tjetër që ka hyrë në burg. Edhe ai Erzati i ka marrë para djalit. E kam dëgjuar unë, Xhonin e ka lënë e shoqja. Me këta ma ha mendja më shumë se i kanë marrë paratë. Tinën ky e patur kushërirë, Erzati hyri në mblesëri, nuk e bëri dot. Pastaj më tha të fus Xhonin, se me të atin e Xhonit kisha ngrënë e pirë unë. Hyra me djalin në byrektore, ky ishte atje. U ulëm atje, u njohëm, pimë dhe nga një birrë. Pas një jave takoj plakun dhe nusen e Xhonin me gjithë fëmijë. Ja shtruam atje, u hodh vjehrri i tha nuses, ka një djalë të mirë të urtë, t’ia bëjmë Tinën. Pastaj Xhoni i tha djalit, ta bëj unë por dua kaq lekë. 500 mijë mori ai i mblesës, 1 milionë Xhoni dhe 1 milionë shoku i Xhonit. Pastaj djali më tha që Xhoni me bllokoi, nuk foli më. Që në atë kohë, djali u mërzit. Kishte shkuar 2 herë për ta takuar, ky i kishte thënë “Ik p*rdhu se nuk më ke dhënë”-ka thënë Nevzat Çeço në një deklaratë për mediat.
Duket se tentativa për fejesë nëpërmjet mblesatarëve, lidhi dhe komunikimin ndërmjet të rinjve në telefon.
“Ky fliste shpesh, por kjo i bënte vjersha. I thoshte duhet të mendohesh mirë se bie në humnerë”, tha Nevzat Çeço.
Ndërkohë mësohet se Martina Pajollari ka qenë arsyeja e konfliktit mes viktimës, Martin Çeço dhe autorit kryesor të vrasjes, Valter Mollaj. Vajza 18-vjeçare mbante lidhje të dyfishtë, ndërsa Valterit i shprehej se Martini e detyronte për të qëndruar me të, gjë që nuk rezulton e vërtetë. Një tjetër detaj tronditëse është se Pajollari ka qenë prezente në momentin që Valteri me 2 të arrestuarit e tjerë bënin planin për vrasjen e Martinit. Madje dyshohet se ajo ka qenë po ashtu prezente edhe në momentin që u krye ekzekutimi i të riut.