DURRËS, 30 gusht 2013 – Vjen nga Italia në fshatin e tij Golem të rrethit të Kavajës dhe me dy bashkëfshatarë, i grabisin po një bashkëfshatari BMW-në, që e fshehin në Durrës andej nga zona e Bërrylit, por kapen pas disa orësh. Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut ët Durrësit njofton se më 29 gusht 2013, ora 21.00, u arrestuan në flagrancë R. T., 35 vjeç, banues në Golem Kavajë, emigrant në Itali dhe M. Xh., 33 vjeç, banues në Kavajë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Këta të dy, në bashkëpunim me njëri-tjetrin si dhe me shtetasin F. A., 31 vjeç, banues në Golem, me datë 29 gusht 2013, rreth orës 13.00, në lagjen nr. 11 Durrës, i kanë vjedhur me armë shtetasit A. Ç., 20 vjeç, banues ne Golem, automjetin e tij të markës BMW me targa AA924CT. Seksioni kundër vjedhjeve me armë dhe dhunë në drejtorinë e policisë së shtetit u vu në ndjekje të autorëve të ngjarjes. Kështu, dy kavajasit nga Golemi u prangosën, brenda pak orësh, në lagjen nr. 5 Durrës. Madje, emigrantit R. T. iu gjend në trup një pistoletë e markës GLOG 9mm, me 15 copë fishekë në krehër, e përdorur nga autorët gjatë ngjarjes. Kurse BMË-ja u gjet e fshehur në lagjen Nr. 1 Durrës, pranë ish-Kirurgjisë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





