2 çmime si “Aktori më i mirë” në dy festivalet teatrore Kokofest dhe Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit në Dibër të Madhe janë dy arritje të rëndësishme për Gentian Zenelajn, i cili korri një sukses të vërtetë me rolin e kryebashkiakut në shfaqjen “Revizori”, të shkrimtarit rus Nikolai Gogol.
Një interpretim brilant dhe dy tituj që për Zenelajn kanë një domethënie të veçantë, pasi këtë vepër, babai i tij, i ndarë nga jeta vetëm pak kohë më parë, e kishte shumë për zemër.
Pasi u ngjit në skenën e teatrit pas një shkëputjeje të gjatë për shkak të pandemisë, Zenelaj rrëfen si e përjetoi ai dhe aktorët e tjerë të trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” këtë rikthim në “shtëpinë” e tyre të përbashkët. Sipas tij, të mësuar me shfaqjet në ambient të hapur, ai dhe kolegët e tij shpesh e gjenin vetëm duke konsumuar më shumë energji gjatë interpretimit në skenën e teatrit.
Por cilat janë projektet më të afërta artistike të Zenelajt? Për “DurrësLajm”, ai tregon se kanë nisur punën me Adelina Muçën për një komedi angleze të titulluar “Të prezantoj babain”. Ai shpreson që pandemia COVID-19 të mos bëhet më pengesë për ndërprerjen e sezonit artistik, pasi si aktorët edhe publiku janë të etur për t’u rikthyer në teatër.
Shfaqja “Revizori” me regji të Driada Dervishit erdhi për artdashësit këtë të mërkurë dhe të enjte në teatrin “Aleksandër Moisiu”, pas çmimit të rëndësishëm që mori si “Shfaqja më e mirë” në Festivalin Teatror në Dibër të Madhe. Nisja e sezonit të ri artistik në Durës vjen pas 3 muajve me shfaqje në ambient të hapur e me një kalendar tejet të ngjeshur artistik ku publiku durrsak mirëpriti shfaqje si: komedia “Martesa”, Festivalin e Këngës Napoletane, Festivalin e Këngëve dhe Valleve Folklorike, komedinë “Boeing Boeing” etj.
M.B.