Nga Mentor Kikia
Sot është 2 Korrik, dita e hapjes së ambasadave në Tiranë, një ngjarje që shënoi fillimin e fundit të regjimit komunist.
Tre prej politikanëve më të rëndësishëm në vend, presidenti, kryeministri dhe kreu i opozitës, risollën në vëmendje ngjarjen e vitit 1990. Ata kishin shkruar nga një hartim patetik, duke kujtuar “shpërthimin e mureve të dikaturës”, “shqiptarët që ëndërronin Europën”, “shqiptarët që paguan çmimin e madh të lirisë” etj etj.
Unë sot dua që krah fotos së të rinjve shqiptarë të shtrirë në dyshemenë e nxehtë të oborrit të Ambasadës Gjermane 30 vjet më parë, të sjell edhe foton e radhës së të rinjve, 30 vjet më pas, sërish pas derës së Ambasadës Gjermane, që kërkojnë sërish viza pune, jo turistike, për të ikur nga Shqipëria.
Sot pas 30 vjetësh, padyshim që mund të bëjmë bilancin e një udhëtimi, nga brugu më i madh i Europës, në liri. Eshtë një botë e përtejme ajo që kemi jetuar atëkohë dhe fotot e filimet e kohës sot duken të pabesueshme. Por unë mendoj nuk jemi në kushtet kur dikush këtu meriton një përmendore në këtë vend.
Përkundrazi!
Pas ambasadave, shqiptarët nisën valën e madhe të arratisë që nuk ndalet as sot. Nuk e ndali as coronavirusi. Menjëherë pas shembjes së mureve të komunizmit, Shqipëria kaloi nën drejtimin e një klase politike barbare. Bazuar në teoritë e “terapisë shock”, dhe në emër të luftës kundër komunizmit, në këtë vend u shkatërrua me “koshiencë prej armiku” e gjitë ekonomia që ishte vënë me djersën dhe gjakun e një populli të tërë. Fabrika, plantacione, hekurudha, ndërmarje që mund të tranzitoheshin nga publike në private, u mbyllën dhe shkatërruan. Shqiptarët e nisën nga zero. I gjithë vendi u bë “tokë e djegur”, pastaj “tokë e lirë” dhe shumë shpejt “tokë e xanun”. Kushdo mund të zhvaste. Një katastrofë urbane, me pasoja të përjetshme. Një katastrove natyrore mbi tokën bujqësore, pyjet, lumejtë dhe detet. Shumë shpejt, qeverisja e ëndërrave demokratike, u zëvendësua nga qeverisje të korruptuara dhe zhvatëse. Njëra më keq se tjetra. Paraja dhe pasuria u përqëndruan në duart e një grushti prej jo më shumë se 10 njerëz. Ata zotërojnë sot ndërtimin, tregtinë, minierat, naftën, tokën dhe nëntokën. Liria ekonomike u zëvendësua nga mekanizmi P(ushtet)-P(ara)-P(ushtet). Pushteti prodhon para, dhe para blen sërish pushtetin.
Shqiptarët kanë sot shtëpi më të mira, disa edhe vila të bukura, kanë makina dhe vishen më mirë. Por asnjë qeveri nuk ka asnjë meritë në këtë ndryshim. Këto janë djersa dhe gjaku i emigracionit. Ata që nuk kanë mundur të emigrojnë janë sot edhe me keq se në 1990.
2 Korriku është sot një ditë për të kujtuar kohën kur nisi rrëzimi i diktaturës. Por është edhe për të kuptuar se diktaturën komuniste ne e zëvendësuam me diktaturën e korrupsioninit dhe zhvatjes.
Ndaj edhe pas 30 vjetësh jemi sërish pas derës së Ambasadës Gjermane!