Nëse ekziston një frut që të bën shumë mirë ajo është molla. Nuk është ekzagjerim. Molla njihet për vlera dhe përbërës të jashtëzakonshëm ushqimorë që të mbrojnë nga një sërë simptomash dhe sëmundjesh.
Molla është një frut që mbron qelizat bazë të sistemit nervor nga neurotoksinat Studimet kanë treguar që konsumimi i mollës ul ndjeshëm rrezikun e goditjeve në tru. Ngrënia e rregullt e mollës besohet se ul rrezikun e shfaqjes së diabetit të tipit 2 sepse ajo përmban fibër dhe ndihmon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak.
Përfitimet në organizëm
Sipas kërkimeve molla ndihmon sistemin tretës të përthithtë më pak glukozë dhe stimulon qelizat beta të pankreasit të prodhojnë insulinë. Mollët ulin rrezikun e vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës, për shkak të përbërësve të lartë antioksidantë. Lëngu i mollës mund të jetë i shijshëm, me vitamina dhe antioksidantë, por magjia qëndron tek fruti i plotë. Vetëm ai të ofron një tufë me fibra dhe vlera ushqimore ashtu siç ka dashur nëna natyrë Studimet thonë se ngrënia e dy mollëve në ditë ofron shumë përfitime për organizmin, dhe veçanërisht gratë i mbron nga sëmundjet e zemrës.
Dy mollë në ditë dhe i thua mjekut “ik”?
Një studim thotë se ngrënia e dy mollëve në ditë për të paktën 8 javë i bën mirë zemrës sepse ul nivelin e kolesterolit në gjak me deri në 4 përqind. Sipas studimit të Fondacionit Edmund Mach në Itali, kjo veti i atribuohet pranisë së lartë të fibrës, e cila gjendet më shumë tek pjesa e lëkurës. Sidoqoftë, ekspertët paralajmërojnë kujdes. Fakti që molla ndihmon në uljen e kolesterolit, nuk do të thotë se ajo duhet të shërbejë si një zëvendësues i medikamenteve për uljen e tij. Molla duhet të jetë pjesë e një regjimi të shëndetshëm ushqimor me shumë fruta, perime, drithëra, peshq e yndyrna të shëndetshme./AgroWeb.