Sot është Dita Botërore për Ndërgjegjësimin e Autizimit, shenjat e së cilës shfaqen te fëmijët pas moshës 1-2 vjeç. 

I identifikuar në vitin 1943, autizmi është një çrregullim ende jo shumë i njohur, ndaj specialistët thonë se trajtimi i tij duhet të kthehet në prioritet të politikave shëndetësore dhe sociale bashkë me më tepër vëmendje ndaj fëmijëve që preken nga kjo sëmundje.

Bazuar në të dhënat shëndetësore, autizmi ka një prevalencë më të madhe se 0.1%. Njerëzit me autizëm nuk kanë aftësi të kufizuara fizike, ndaj dhe është vështirë të krijohet më shumë dijeni për këtë gjendje, pohojnë specialistët.

Sipas klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “autizmi shfaqet te fëmijët para moshës trevjeçare dhe shoqërohet me vonesa në ndërveprimet e tyre shoqërore, gjuhë, shenja, apo lojëra përfytyruese”.

Fëmijët autikë kanë probleme të komunikimit, mbyllen në vetvete, nuk krijojnë lidhje emocionale, nuk shoqërohen me moshatarët, fiksohen pas një sendi apo objekti, etj. Çrregullimet e gjuhës dhe komunikimit, simptomat më karakteristike te fëmijët autikë, evidentohen kur fëmija nis të flasë, prandaj dhe prania e tyre përbën një nga kriteret diagnostikuese. E folura herë mungon, herë është e vonuar, ose dhe atipike.

Mjekësia ende nuk ka mundur të qartësojë shkaqet e autizmit, ndërsa përpjekjet e shkencëtarëve vazhdojnë të jenë të mëdha. Edhe pse rrallë observohet më shumë se një rast autizmi në familje, observimi i një përqindjeje të konkordancës së rritur te binjakët monozigotë ka treguar rëndësinë e faktorit gjenetik tek autizmi.

Specialistët e shëndetësisë apelojnë për sensibilizimin e opinionit publik për përkrahje ndaj fëmijëve autikë dhe integrimin e tyre në shoqëri.