KAVAJE, 23 shkurt 2013– Dy të moshuar janë marrë në hetim nga Policia dhe Prokuroria e Kavajës, me akuzën “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pas zbulimit të investimeve dhe transaksioneve që ata kanë kryer me shuma prej miliona eurosh.

Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se ka filluar procedim penal në ngarkim të S. Proj, 63 vjeç dhe Q. Lica, 63 vjeç, të dy banues në Lagjen Nr.3 të Kavajës.

Hetimi ndaj tyre ka nisur nga oficerët e hetimit të aseteve kriminale, në zbatim të ligjit “Antimafia”, pasi kanë lindur dyshime për burimin e fondeve që janë investuar nga ana e tyre.

Fillimisht është verifikuar dhe hetuar nga ana e oficerëve të Policisë në rast se ata mund të kishin në pronësi ndonjë biznes që të justifikonte këto shuma të konsiderueshme, por nuk ka rezultuar asnjë biznes i regjistruar në emër të tyre.

Në bazë të informacionit investigues të kryer me metodat speciale të hetimit të krimeve, rezulton se në vitin 2011 kanë blerë një pasuri të paluajtshme truall dhe ndërtesë në qytetin e Kavajës me vlerë 40 milionë lekë të rinj.

Në këtë rast Policia ka konstatuar se pagesa është kryer me para në dorë, gjë që e bën edhe më të dyshimtë këtë lloj investimi.

Gjithashtu, hetuesit kanë zbuluar se në periudha të ndryshme nga viti 2010 dhe gjatë vitit 2011, Proj dhe Lica kanë kryer transaksione bankare në llogaritë e tyre me shuma të konsiderueshme lekësh dhe eurosh.