Në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta të Gjergj Vlashit, miq e të njohur, bashkëpunëtorë dhe kolegë, por edhe shumë qytetarë të Durrësit u mblodhën në teatrin “Aleksandër Moisiu” për të ndjekur premierën e dokumentarit “”Shën Gjergji” me tre pasione të mëdha”.
Personalitete të njohura të kulturës dhe artit u takuan mbrëmë në Durrës për të përkujtuar me respekt babain e estradës shqiptare, regjisorin dhe përkthyesin e talentuar, që aq shumë i dha qytetit të lindjes, por edhe Shqipërisë. Gazetari Gëzim Kabashi dhe Astrit Tahiri rrëfyen para të pranishmëve disa nga vështirësitë e realizimit të këtij dokumentari, për të cilin janë realizuar intervista edhe në Spanjë e Amerikën e largët.
“Operatori Tristan Sherifi, me një sakrificë të tejskajshme, bindi veten dhe na bindi dhe neve që duhen intervista e miqve të Gjergjit në veriun e Spanjës dhe bëri mbi 5000 km me makinën e tij mbushur me pajisjet për të realizuar xhirimet”,- tha Tahiri para të pranishmëve në sallën e teatrit.
“Ky dokumentar na ka dhënë mundësinë që të shëtisim nëpër Shqipëri, por edhe në pjesë të tjera të kontinentit dhe kudo na kanë thënë të njëjtat fjalë: Të flasësh për Gjergj Vlashin është nder”,- theksoi gjatë fjalës së tij Gëzim Kabashi.
Në 63 minutat e kohëzgjatjes së dokumentarit u hodh dritë përmes dëshmive të artistëve të njohur si Ismail Kadare, Mirush Kabashi, Bujar Kapexhiu, Përparim Kabo e shumë të tjerë mbi aspekte të jetës dhe krijimtarisë së Gjergj Vlashit, i nderuar me disa nga titujt më të lartë si “Nderi i kombit”, “Qytetar nderi i Durrësit”, “Mjeshtër i madh” etj.
Në kujtimet e atyre që e kanë njohur nga afër, Gjergj Vlashi mbahet mend si një personalitet me mjaft peshë, por edhe si njeri me një thjeshtësi të admirueshme.
“I qeshur i thjeshtë, shumë komunikues, një njeri pa pretendime. Nëse do ta shikonit Gjergjin dhe do të kontaktoje me të ishte aq i thjeshtë sa nuk të linte të kuptoje se ishte një kapacitet aq i madh. Kulturën e tij e balancoi me thjeshtësinë, prandaj mbetet një figurë e madhe”,– tha gazetarja dhe folësja Tefta Radi, e cila ka pasur rolin e narratorit në këtë dokumentar.
“Ishte një njeri i madh në kuptimin e plotë të fjalës, një njeri i shquar. Komunikimi i Gjergjit ishte plotësisht i veçantë. Nuk ka një qytetar të Durrësit, por dhe në të gjithë Shqipërinë që e ka takuar Gjergj Vlashin dhe të mos ketë përshtypjet më të mira për të”,- tha poeti Bardhyl Agasi.
Me rreth 100 premiera estradash në qytete të ndryshme të Shqipërisë, përkthimet mjeshtërore të autorëve të famshëm si Kafka, Saramago etj, 25 librat e shkruar prej tij Gjergj Vlashi ka lënë pas një trashëgimi kulturore mjaft të pasur. “Enciklopedia lëvizëse” siç e quanin shpesh miqtë e tij prehet prej dy vitesh në varrezat e qytetit, por krijimtaria e tij do të vazhdojë të jetë pjesë e kolanës së veprave më të mira të artit e kulturës shqiptare.
M.B.