Tregu imobiliar në Durrës vijon të regjistrojë rritje çmimesh të pronave të paluajtshme. Në harkun kohor të një viti, rritja mesatare varion në 10-15%, ndërsa në zonat më të preferuara si lagjja nr.1 apo zona e plazhit rritja shkon deri në 20-25%, bëjnë të ditur agjencitë imobiliare për “DurrësLajm”.

Pjesa më e konsiderueshme e lejeve të ndërtimit të dhëna nga bashkia Durrës 2 vitet e fundit janë për hotele dhe resorte. Në 20-vjeçarin e fundit, qendra e qytetit ka qenë e mbingarkuar me ndërtime shumëkatëshe, por mungesa e tanishme e lejeve të ndërtimit për pallate ka sjellë rritjen eksponenciale të çmimit të metrit katror në të paktat ndërtime të reja që hedhin shtat.

“Mungesa e lejeve të ndërtimit dhe pallateve të reja, sidomos në zonën e qendrës në mënyrë automatike ka bërë që çmimet të rriten, sepse kërkesë ka, ndërkohë që nuk ka ofertë.

Në zonën e Vollgës, në një pallat të vogël që është në ndërtim e sipër çmimi arrin në 1300 euro metri katror, por nuk bëhet fjalë për ndërtim në vijën e parë me detin, por të katërt apo të pestë”, thotë Florian Tahiri, administrator i agjencisë imobiliare Mei Smart.

Sipas agjentëve imobiliarë, apartamentet me çmimet më të leverdishme për çiftet e reja janë ato në fashën 40-70 mijë euro.

Blerja e një apartamenti, jo si shtëpi e dytë, por si një investim në funksion të qiradhënies është një trend shumë i përhapur vitet e fundit. Sezoni veror është periudha, kur qiratë kapin majat.

“Ajo që ndikon më shumë gjatë kësaj periudhe janë qiratë, të cilat rriten më shumë gjatë sezonit turistik, sidomos qiratë ditore, por edhe ato mujore”.

Pas goditjes së fortë që mori në vitin 2020 për shkak të tërmetit, tregu imobiliar ka vijuar me trendin rritës të çmimeve çdo vit.

M.B.