Mijëra nxënës shkollash, punonjës administrate, anëtarë të shoqërisë civile dhe forca të shumta ushtrie dhe policie u angazhuan në një aksion masiv për pastrimin e mbeturinave urbane nga rrugët dhe lagjet e qytetit dhe zonat turistike. Aksioni i së premtes të kujtonte nismat për pastrim vullnetar të territorit të aplikuara gjatë viteve të monizmit. Por në radhë të parë, mbajtja pastër e ambientit është detyrë dhe obligim i çdo qytetari

Për herë të parë në këto vite demokraci u përdor motoja “pastrim territori”, e importuar nga koha e komunizmit. Fëmijët e të gjithë shkollave të Durrësit, por dhe punonjësit e administratës shtetërore më 20 prill u angazhuan për pastrimin e qytetit.

Me një urdhër qeverie të nxjerrë më 30 mars, 20 prilli u shpall dita e një mjedisi të pastër. Të gjithë mekanizmat e shoqërisë civile, ushtrisë, pushtetit lokal e atij qendror u vunë në lëvizje për të pastruar mbetjet urbane, të cilat i gjen në të gjithë Shqipërinë.

Aksioni i madh i pastrimit të mbetjeve urbane solli në Durrës me qindra forca të ushtrisë, të cilat pastrimin e nisën nga zona e Currilave, përgjatë gjithë vijës bregdetare deri tek Shkëmbi i Kavajës.

Ky aksion i madh ka bashkuar titullarët qeveritarë dhe ata të pushtetit lokal, nën “ombrellën” e përgjegjësive të përbashkëta që kanë ndaj qytetarëve, ndaj mjedisit, ndaj turizmit. Megjithë reshjet e shumta të shiut të gjithë punonjësit e administratës, nxënësit e shkollave dhe punonjësit e policisë kanë qenë të detyruar të pastrojnë rrugët që u ishin ngarkuar.

Në Currila dhe në Shkëmbin e Kavajës kanë ndërhyrë forcat e ushtrisë për pastrimin e mbetjeve urbane, në rrugët e Durrësit administrata lokale, ndërsa në plazhet e Kavajës pastrimi i territorit është realizuar nga policia dhe punonjësit e komunave dhe të bashkive.

Pastrimi i Plazhit të Currilave

Në pastrimin e një prej zonave më të nxehta mjedisore të qytetit të Durrësit ka marrë pjesë ushtria me forca të shumta dhe mjete. Në Durrës, operacioni i pastrimit ka nisur pikërisht nga ky vend dhe i gjithë aksioni është mbikqyrur nga ministri i drejtësisë Eduart Halimi, prefekti, Genci Alizoti, kryetari i bashkisë Vangjush Dako, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi etj.

Nga maja më e lartë e kodrës së Currilave janë lëshuar me litarë 50 forca speciale dhe komando që kanë pastruar mbeturinat urbane nga faqja e kodrës. Prej shumë vitesh, në këtë zonë janë depozituar sasi të mëdha plehrash, që janë hedhur nga banorë të papërgjegjshëm. Në një terren mjaft të rënduar, për shkak të reshjeve të dendura të shiut, forcat speciale kanë punuar për disa orë me radhë për të larguar nga aty mbetjet urbane.

Ushtria në aksion

Gjeneral major Xhemal Gjunkshi tha se forcat e ushtrisë janë shpërndarë në të gjithë qytetin e Durrësit dhe veçanërisht në pikat e nxehta siç është zona e Currilave në Durrës. “Ushtarët kanë marrë përsipër të pastrojnë rrugët nacionale dhe autostradat. Ata u janë bashkuar punonjësve të ndërmarrjeve të bashkisë së Durrësit, por edhe të gjithë shoqërisë civile.

Forca të ushtrisë janë shpërndarë në të gjithë territorin, pranë stacionit të trenit, Autostradës Tiranë-Durrës, zonës së Currilave, zonës turistike tek Shkëmbi i Kavajës, ku janë përqendruar mbi dhjetë mjete të rënda, që heqin mbetjet urbane dhe inertet. Forcat e armatosura janë përfshirë në aksionin e iniciuar në të gjithë vendin dhe do të vijojnë të jenë në ndihmë të pushtetit lokal.

Në Durrës kemi gjetur një bashkëpunim shumë të madh, por i kërkoj titullarëve të pushtetit lokal të ndërhyjnë për të mbajtur pastër të gjitha zonat nga mbetjet urbane.

Shkëmbi i Kavajës dhe Golemi

Forcat e ushtrisë janë ndalur për orë të tëra në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pasi me dhjetëra ndërtime që kanë ngritur shtat kanë lënë në hapësirat publike sasi të konsiderueshme mbetjesh inerte. Gjithashtu përgjatë këtij plazhi gjen me shumicë blloqe betoni që janë braktisur aty pas prishjes së ndërtimeve pa leje.

Mjetet që disponon ndërmarrja komunale e plazhit dhe ajo e pastrimit të qytetit në Durrës nuk kanë mundësi të largojnë këto blloqe, e për këtë arsye ka qenë mëse e domosdoshme prezenca e mjeteve dhe forcave të ushtrisë.

Në zonën bregdetare të Golemit, aksioni për pastrimin e mbetjeve urbane është drejtuar nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni që së bashku me kreun e komunës, Agron Agalliu, ka nisur operacionin e pastrimit të plazhit. “Në prag të çeljes së sezonit veror, por edhe në kuadër të nismës së kryeministrit Berisha “Për një Shqipëri të Pastër”, ministritë dhe njësitë vendore e qendrore në Durrës janë hedhur në aksion masiv për pastrimin e plazheve, por edhe ambjenteve publike, ku mbizotërojnë papastërtitë. Një ndihmë të madhe po na japin edhe bizneset të cilët me fuqinë e tyre punëtore i janë bashkuar aksionit vullnetar”,- tha zv/ministri Poni.

Pastrimi i Gjirit të Lalëzit

Plazhi i Gjirit të Lalëzit, një nga bukuritë natyrore më të çmuara të bregdetit durrsak u pastrua nga rreth 200 punonjës të Autoritetit Portual Durrës si dhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Ishmit. Situata mjedisore në vijën bregdetare të Shën Pjetrit paraqitej kritike, pasi rreth 1 km vijë bregdetare e kësaj zone ishte e tejmbushur nga mbetjet urbane, të cilat deti i ka nxjerrë në breg së fundmi.

Deputeti i PD-së, Igli Cara, u shpreh se kjo situatë do të gjejë zgjidhje të menjëhershme para nisjes së sezonit veror. “Për të rikthyer normalitetin në këtë perlë të natyrës duhet angazhimi i komunës dhe të gjithë subjekteve private”,- tha Cara. Prefekti i qarkut, Genc Alizoti, vlerësoi punën që po bëhet për pastrimin e zonave turistike dhe u shpreh se aksioni për pastrimin e territoreve nga mbetjet urbane do të vijojë edhe pas datës 20 prill, në mënyrë që e gjithë vija bregdetare e qarkut të jetë në dispozicion të pushuesve.

Kreu i komunës së Ishmit, Sulejman Ibrahimi, pohoi se zona turistike që është nën administrimin e kësaj njësie vendore do të jetë e pastër dhe do të ofrojë kushte komode për të gjithë pushuesit që do ta frekuentojnë atë.

 

EDUART HALIMI

Është dita e Shqipërisë së Pastër

Në prononcimin e tij para mediave ministri i drejtësisë, Eduart Halimi tha se,- “jemi në një ditë shumë të rëndësishme për vendin. Kjo është dita e Shqipërisë së Pastër prandaj jemi duke ndërhyrë në pikat e nxehta mjedisore. Këtu në Currila nevojitej një operacion nga forcat speciale të ushtrisë. Kjo është një zonë shumë e bukur turistike, dhe pastrimi i mjedisit do t’i hapë perspektiva të reja zhvillimi. Unë do t’i kërkoj kryetarit të bashkisë që të vendoset e gjithë infrastruktura e nevojshme për menaxhimin e mbetjeve urbane që të mos përsëritet më një situatë e tillë.

VANGJUSH DAKO

Kërkuam ndihmën e ushtrisë për Currilat

Zona e Currilave është një nga më të rëndësishmet e qytetit të Durrësit, por është mjaft e ndotur. Ne si bashki e kishim të pamundur të ndërhynim për ta pastruar, sepse terreni është mjaft i vështirë. Në këtë mënyrë i kërkuam ndihmë forcave të ushtrisë për të realizuar një punë më profesionale. Aksioni është shtrirë në të gjithë qytetin dhe në të gjithë zonën turistike në plazhin e madh. Është një aksion gjithëpërfshirës ku marrin pjesë shoqëria civile, të gjithë institucionet, për të garantuar një mjedis sa më të pastër. Këtë vit të gjithë vizitorët do të kenë një qytet më të pastër prandaj i ftoj të vijnë të kalojnë pushimet në Durrës.

SALI BERISHA

Ndjekje penale për ndotësit e mjedisit

Në mbledhjen e qeverisë të datës 30 mars, kryeministri Sali Berisha e deklaroi 20 Prillin, ditën e një mjedisi të pastër. Sipas kreut të qeverisë kushdo që ndot ambientin do të ndiqet penalisht. Për të garantuar zbatimin me rigorozitet të iniciativës së shpallur nga ai vetë, Berisha organizoi një takim me prefektët dhe kryetarët e këshillave të qarqeve. “Krimet ndaj mjedisit janë krime të rënda dhe qeveritarët vendorë duhet të jenë të parët që duhet të vendosin ta zbatojnë ligjin, duke proceduar e dërguar për ndjekje penale ndotësit e tij”,- tha gjatë mbledhjes kryeministri i vendit. Ai kërkoi të shënohet një kthesë rrënjësore në qëndrimin ndaj mjedisit. Duke u ndalur tek plehrat, ai theksoi se zgjidhja e problemit, më shumë se në çdo gjë tjetër, ka impakt direkt në mbrojtjen dhe zhvillimin e shëndetit të qytetarëve shqiptarë, si dhe në imazhin e vendit. Kryeministri u shpreh se ky problem mund të trajtohet me sukses vetëm nëse çdo pushtetar vendor e sheh atë si problemin më kryesor e më shqetësues. “Ky është një problem i komplikuar, por duhet të praktikojmë ndërhyrjet emergjente, të cilat janë përcaktimi me përparësi i të gjitha vendndodhjeve ku do të hidhen mbetjet, ripozicionimi i tyre”,- tha Kryeministri. Berisha kërkoi nga drejtuesit vendorë që në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike dhe drejtoritë e mjedisit, të përcaktohet për çdo komunë zona e vendndodhjeve të mbeturinave urbane. “Ndërkohë,- vijoi Kryeministri,- do të bëjmë gjithçka, si për ndërtimin e landfilleve, ashtu edhe për ndërtimin e impianteve të djegies së tyre”.