Për të pastruar qytetin dhe zonën turistike nga mbeturinat urbane do të angazhohen edhe nxënësit e shkollave. Në kuadër të ditës së Tokës (20 prill) nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të rrethit të Durrësit do të ndërmarrin një aksion për pastrimin e qytetit. Ndotja masive që ka pushtuar vijën bregdetare i ka detyruar autoritetet shtetërore të kërkojnë ndihmën dhe bashkëpunimin e institucioneve arsimore.
Gatishmëria e tyre ka qenë e plotë. Drejtori rajonal i arsimit, Filip Gjonçaj, ka deklaruar se,- “janë zhvilluar dy takime me drejtuesit e shkollave të rrethit.
Takimi i parë është mbajtur në Manzë ku kanë qenë prezent drejtuesit e shkollave të komunave Ishëm, Maminas, Sukth, Katundi i ri, ndërsa takimi i dytë është organizuar në Xhafzotaj, ku përfaqësoheshin drejtuesit e komunave Xhafzotaj, Rrashbull, Gjepalaj dhe të Bashkisë Shijak. Jam i kënaqur nga mirëkuptimi dhe gatishmëria e drejtuesve të shkollave. Janë hartuar plane deri në imtësi, për veprimet në të gjitha ditët e javës, duke filluar që nga hëna për të kulmuar pastaj të premten, më 20 Prill. Janë siguruar edhe disa pajisje elementare si doreza, bluza dhe thasë plastikë etj”.
Sipas Gjonçajt nxënësit e Ciklit të Ulët do të veprojnë brenda mjedisit të shkollës, ndërsa nxënësit e ciklit të lartë edhe jashtë territorit të saj. Nxënësit e gjimnazeve do të pastrojnë zonat turistike të rrethit.
Gjonçaj ka theksuar se ky aksion është vetëm fillimi. “Kam besim se po bëjmë një gjë të mirë e të dobishme, në shërbim të komunitetit, qytetit dhe qytetarëve. Mesazhi i gjithë kësaj veprimtarie është i thjeshtë: Askush të mos presë që pastrimin e qytetit e fshatit, lumit apo bregdetit, do ta bëjnë të tjerët. T’i kërkojmë llogari vetes, por edhe të tjerëve. Kultura qytetare, aq e dëshiruar dhe e lakmuar, duhet të zërë vend në mendjen e gjithsecilit nga ne”,- përfundoi Gjonçaj.