Turqi, 13 maj 2014 – Rreth 20 persona mendohet të kenë humbur jetën ndërsa rreth 300 të tjerë kanë mbetur të bllokuar pas një shpërthimi në një minierë qymyri në perëndim të Turqisë. Aksidenti tragjik është regjistruar në qytetin Soma, rreth 250 kilometra në jug të Stambollit ku qindra minatorë janë bllokuar rreth 2 km nën sipërfaqen e tokës dhe rreth 4 km nga vendndodhja e minierës.

Operacionet e kërkim shpëtimit vijojnë, ndërkohë që mendohet se në momentin e shpërthimit nën tokë ndodheshin 580 punëtorë një pjesë e të cilëve arritën të shpëtonin.

Ministri turk i energjetikës, Taner Yildiz i cili po ndjek nga afër operacionet e kërkimit ka bërë me dije se shkak i shpërthimit fatal dyshohet të jetë bërë një defekt elektrik.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/