Ervis Zyba, 20-vjeçari që mbeti i vrarë në Kurbin orët e para të mëngjesit të së enjtes, është ekzekutuar për shokun e tij. Zyba thjesht ndodhej në momentin dhe në vendin e gabuar.
Gazeta “Shekulli” shkruan sot se viktima kishte shkuar me shokun e tij në një lokal muzike, pa qenë në dijeni se ai ishte në konflikt me persona të tjerë. Në momentin që kanë mbërritur në lokal, shoku i tij ka shquar personat me të cilët kishte bërë sherrin, të vinin aty. Atëherë ai është përpjekur të lëvizë nga lokali, me qëllim që të largohet bashkë me shokun e tij. Por personat që erdhën aty, me sa duket ishin në dijeni të vendndodhjes së personit që i kishte rrahur një javë më parë dhe aty kanë ardhur të armatosur për të qëlluar mbi të. Fati i keq, ka qenë me atë që s`ka pasur asnjë lloj lidhjeje me ngjarje dhe as me sherrin.
Ngjarja
Mbi të janë lëshuar dy plumba pistolete, ndërsa shënjestra ka mundur të largohet nëpër errësirën e natës, për të bërë të mundur edhe shpëtimin e jetës nga plumbat e personave që kishte rrahur. Në mjetin e tij, ka mbetur i pajetë Ervis Zyba, i cili gjendej në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar. Ngjarja ka ndodhur në oborrin e lokalit të muzikës rreth orës 02.00 të mëngjesit të djeshëm, ndërsa dy autorët, të cilët janë vëllezër, kanë ikur me makinë, por nuk janë kapur ende nga policia.
Për këtë ngjarje të rëndë, policia i ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Cara. Dyshohet se M. Cara 24 vjeç, është autori i krimit që ekzekutoi një të pafajshëm.