24 korrik 2015 – Kristina Cicani, 20-vjeçarja që u dogj një natë më parë së bashku me vëllanë dhe mamanë e saj gjatë kohës që ishin në gjumë, me sa duket ka parandjerë diçka për atë që do të ndodhte.
Të mërkurën ajo sapo ishte kthyer nga pushimet, të cilat i kishte kaluar me të fejuarin e saj. Të njohur të saj tregojnë se rrugës për në shtëpi, natën e tragjedisë e kishte shoqëruar i fejuari i saj.
“Nuk më shkohet në shtëpi sonte, kot nuk qëndrova te ju”, mësohet t’i ketë thënë Kristina të fejuarit, pasi atë natë kishte qenë te shtëpia e tij, shkruan gazeta “Panorama”.
Kristina nuk arriti dot të vishte as fustanin e nusërisë dhe as të diplomohej. Ajo sapo kishte përfunduar vitin e parë në degën ‘Filozofi-Sociologji’ në Universitetin e Korçës, por gjithçka u këput në mes për shkak të djegies së një kablli elektrik në shtëpinë e saj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/