FIER, 11 prill 2013 – Rrëmbehet dhe rrihet në mes të fshatit 20-vjeçarja. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme në fshatin Frakull e Madhe të Fierit. Sipas Policisë, dy të rinj, Aleksandër Muçaj dhe Donald Hila, kanë qenë në rrugën kryesore të fshatit kur janë ndeshur me 20-vjeçaren me inicialet B. S. Blutë nuk konfirmuan nëse vajza ka lënë takim me Aleksandër Muçajn apo nëse takimi me të ka qenë rastësor, por hetimet vijojnë. Kanë qenë bashkëfshatarët e vajzës ata që e kanë shpëtuar nga dhuna, pasi dëgjuan ulërimat e saj. Siç mësohet, 20-vjeçarja u ka thënë familjarëve që do të dilte për të shkuar te dentisti që ndodhet në qendër të komunës. 

Por pasi ka bërë pak metra nga banesa, në rrugën kryesore të fshatit ajo është ndeshur me një mjet në të cilin ndodheshin dy të rinjtë, banorë të zonës. Ngjarja nuk ka dëshmitarë, pasi në momentin e rrëmbimit nuk ka pasur asnjë banor në rrugë. Por dyshohet se ajo është marrë forcërisht në mjet nga Aleksandër Muçaj, dhe pasi e ka kërcënuar, ai e ka keqtrajtuar dhe rrahur në mjet duke i shkaktuar plagë dhe shenja të dukshme në fytyrë dhe në trup. Thirrjet për ndihmë të saj janë dëgjuar nga banorët, të cilët kanë shkuar në vend dhe arritën t’ia nxirrnin nga duart agresorit. Sipas familjarëve dhe të afërmve të vajzës, dy djemtë e kanë marrë atë forcërisht në automjetin me të cilin udhëtonin dhe më pas e kanë keqtrajtuar, duke i shkaktuar dëmtime trupore. Policia mbërriti në vend dhe ndaloi dy të rinjtë e dyshuar. Por më pas, vetëm ndaj njërit prej tyre, Aleksandër Muçajt, u firmos arresti. 

Ai akuzohet për veprën penale të përndjekjes, pasi dyshohet se ka ndjekur, kërcënuar dhe më pas rrahur 20-vjeçaren. Në Polici është marrë në pyetje edhe e dëmtuara, por sipas burimeve, ajo nuk ka pranuar të flasë në lidhje me ngjarjen. As i akuzuari për përndjekjen e saj nuk i është përgjigjur pyetjeve të policisë, duke përmbledhur të gjithë ngjarjen me faktin se gjithçka kishte ndodhur në një moment gjaknxehtësie. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se dyshohet se ndërmjet dy të rinjve ka pasur një lidhje të fshehtë. Kjo është një ndër pistat e shumta që po hetohet dhe që dyshohet si më e mundshmja edhe për faktin se e dëmtuara nuk ka bërë asnjë deklaratë kundër dhunuesit të saj. 

Dyshohet se shkëputja e marrëdhënies apo një zënkë e momentit ka bërë që i riu të hakmerret ndaj saj dhe ta keqtrajtojë atë në mes të rrugës. Policia la të lirë drejtuesin e mjetit, Donald Hila. Pas ngjarjes reaguan mjaft ashpër edhe familjarët e vajzës së dhunuar, të cilët u shprehën se ajo ishte nisur për te dentisti. Ata akuzuan të dy të rinjtë për keqtrajtimin e 22-vjeçares, ndërsa pohuan se kishin njohje me të dy djemtë për shkak se ata janë banorë të zonës ku ndodhi ngjarja. 

/gazeta "Panorama"/