Itali, 10 korrik 2014– Kontesha italiane Mary Manfrin Lamm Rusconi, 85 vjeçe vdiq në spital pasi u bë objektiv i një grabitje me dhunë nga një bandë shqiptarësh. Duke gdhirë 25 nëntori i vitit 2012, Kujtim Lalaj, 31 vjeç, Ermir Perkola, 29 vjeç dhe Mati Pjetri, 27 vjeç grabitën me dhunë konteshën në vilën e saj “Il Castagno”. Dy ditë pas grabitjes, kontesha vdiq në spital nga plagët dhe tronditja, që pësoi gjatë grabitjes.
Karabinieria e kreu detyrën duke i kapur tre grabitësit shqiptarë (një person i katërt është ende në kërkim). Prokurori i çështjes kërkoi dënim me burg të përjetshëm për grabitje me dhunë me pasojë vdekjen e viktimës.
Gjykata e Sienës i dënoi dy shqiptarët, që torturuan konteshën Rusconi me 6 vjet e 10 muaj burg secilin, ndërsa Mati Pjetri, i cili qëndroi në oborrin e vilës dhe nuk mori pjesë në tortura u dënua me 6 vjet burg. Prokurori deklaroi se do ta apelojë këtë vendim të gjykatës.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





