Përfundimi i vitit arsimor dhe 20-vjetori i themelimit të shkollës jopublike “Mihal Ekonomi” u përmbyll në formën më të bukur të mundshme, me një ekspozitë me punime të realizuara nga vetë nxënësit.

“20 vjet retina drite” bëri bashkë pasditen e së hënës në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” nxënës, prindër dhe mësues.

Kjo është ekspozita e dytë rradhazi e nxënësve, pas asaj të vitit të kaluar, por këtë herë vihet re një rritje cilësore në dhjetëra punime në grafikë, akuarel e penela, të gjitha të realizuara në harkun kohor të një viti.

Më të entuziasmuarat janë piktoret e vogla, që sot kanë shpalosur punimet e tyre para prindërve dhe mësuesve.

Mësuesja e artit pamor Edmonda Rotani vlerësoi angazhimin maksimal të talenteve të vegjël, sidomos të vogëlushes Emi Kallastra.

Nxënësja e klasës X, Athina Eski, është vlerësuar me çmimin e parë me grafikën e saj në konkursin e “Maratonës Rinore”, ndërsa shumë nxënës të tjerë premtojnë shumë për të ardhmen, deklaron drejtoresha Elsa Hila.

“Mihal Ekonomi”, e para shkollë jopublike në Durrës, gjatë këtyre viteve të ekzistencës së saj, ka nxjerrë me dhjetëra nxënës të talentuar, ndërkohë që misioni në rrugën e dijes vijon drejt objektivave të reja.

M.B.