Sot është shënuar 20-vjetori i Rezolutës 1325 i Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, për paqen, sigurinë dhe gratë.
Shqipëria, në vitin 2018, iu bashkua thirrjes së Rezolutës 1325 për miratimin e një Plani Veprimi për zbatimin e Rezolutës 1325 (2018-2020) kushtuar agjendës Gruaja, Paqja dhe Siguria’, duke u renditur sot mes 86 vendeve në botë.
Gjatë një aktiviteti sensibilizues mbajtur mesditën e sotme në sheshin “Liria” në Durrës, drejtuesja e shoqatës “Gratë, Siguria dhe Paqja”, Bajana Çeveli bëri thirrje për më shumë siguri për gratë .
“Ne vërtetë punojmë në këtë sektor, Shqipëria ka një plan veprimi dhe dje pikërisht lancuam raportin e dytë të këtij plani. Por ajo që është më e rëndësishme, është që në kërkojmë më shumë siguri për gratë. Çdo ditë po ndjejmë dhunë në familje, problematikat që ka ajo sot, goxha e rënduar nga Covid-19. I bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara për një bashkëpunim më të madh me gratë e Shqipërisë dhe ne do jemi ato që kërkojmë paqe në botë. Kemi shumë rezultate në këtë pikë, por ajo që mbetet është shumë punë për të bërë.”, u shpreh Çeveli.