20-vjetori i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Gramshi” mblodhi në një mbrëmje letrare në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” shumë anëtarë të këtij komuniteti që prej vitesh jetojnë në Durrës.
Dega lokale është krijuar prej vetëm dy vitesh, por ajo ka në përbërjen e saj 200 anëtarë, ndërkohë që komuniteti gramshiot i vendosur në qytetin bregdetar arrin në rreth 12 mijë banorë.
“Me aktivitetet e vazhdueshme që kemi bërë, kemi si qëllim të promovojmë dhe të zhvillojmë më tej kulturën dhe traditat e Gramshit, të lidhim miqësi dhe bashkëpunimin midis njëri-tjetrit”,- tha kreu i shoqatës “Gramshi” për degën e Durrësit, Xhevdet Hoxholli.
Mbrëmja letrare iu dedikua shkrimtarit Meçan Hoxha dhe 3 librave të tij “Gramshi në jetën time”, “Riza Kishta, emër që nuk harrohet” dhe “Kontribute letrare 3”.
Gjatë aktivitetit kulturor u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër mbi jetën dhe krijimtarinë e Hoxhës, i cili mban edhe postin e kreut të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës.
Të pranishëm në aktivitetin letrar ishin edhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako dhe homologu i saj nga Gramshi Besjon Ajazi.
M.B.