Një Halloween sa i frikshëm, aq edhe plot kolorit ishte ai i mbrëmjes së të hënës në Durrës.

Në prag të festës së të vdekurve, qendra e qytetit u transformua në një paradë të vërtetë, ku kryefjalë ishin fëmijët me kostumet e larmishme të personazheve të preferuar, apo atyre të filmave “thriller”.

Mbi 200 fëmijë të studios së kërcimit “Aldo Dance” sollën një atmosferë shumë të bukur në sheshin qendror të qytetit bregdetar, me kujdesin e veçantë që i kishin kushtuar jo vetëm kostumeve, por dhe make up-it.


Ata që i gëzohen më shumë kësaj feste që ka marrë përhapje të madhe, sidomos vitet e fundit, janë të vegjlit.

Jo vetëm ata në skenë ishin maskuar, por edhe ata që shijonin paradën si spektatorë.

“Këtë aktivitet po e organizojmë për të tretin vit radhazi. Fëmijët na kanë surprizuar sepse e morën shumë seriozisht që në edicionin e parë”,- thotë për “DurrësLajm”, koreografi i njohur Aldo Aliaj.

31 tetori njihet kudo në botë si festa e ringjalljes së të gjithë shpirtrave, sipas gojëdhënave dhe legjendave që prej vitit 1745.

Në SHBA, Halloween njihet si festa e dytë që festohet më shumë pas Krishtlindjeve.

M.B.