Durrës, 24 qershor 2014 – Dy media prestigjoze italiane “La presse” dhe “Il Libero Quotidiano” njoftojnë për një bashkëpunim të disa familjeve të Ndrangetës kalabreze me grupe të strukturuara kriminale shqiptare për importimin nga Shqipëria të armëve relativisht të sofistikuara luftarake dhe kokainës me origjinë latino-amerikane në sasi deri 200 kg.

Dy familje të Ndrangetës, familja Mancuso di Limbadi dhe familja Mole ishin lidhur me mafien shqiptare për të importuar nga Shqipëria armë si: pistoleta, pushkë, mitralozë dhe prodhim silenciatorësh për pistoleta. Për armët personi përgjegjës i Ndrangetës ishte Belfiore Giuseppe. Për kokainën nga Shqipëria do të kujdesej klani Mancuso di Limbadi. Sasitë e para të kokainës ishin importuar tashmë nga Shqipëria, ndërsa po planifikohej importimi i një sasie prej 200 kg. kokainë latino- amerikane të magazinuar tashmë në Shqipëri. Për shkak të pamundësisë të transportit ajror (me avionë ultra të lehtë) të kokainës në Kalabri, ishte parashikuar importimi i saj me peshkarexha të pajisura për të kryer lundrime të gjata. Për këtë transport do shfrytëzohej edhe përvoja e klaneve të Cosa Nostras siciliane (zona e Katanias), për importimin nëpërmjet të tilla peshkarexhave të sasive mbi një ton kanabisi shqiptar

DEA amerikane prej kohësh është e impenjuar në shkatërrimin e planeve të grupeve kriminale ndërkombëtare dhe atyre shqiptare për ta shndërruar Shqipërinë në një magazinë gjigande tranziti për heroinën afgane dhe kokainën latino-amerikane. Në kuadër të këtyre përpjekjeve policia greke dhe DEA amerikane kapën në Athinë dhe Pire në dy depo të ndryshme dhe në cisternën e gazit M/T “Noor One”, një ton heroinë afgane, që nga Greqia dhe Shqipëria do të dërgohej për të furnizuar tregun evropianoperëndimor.

DEA amerikane në bashkëpunim me agjensitë ligjzbatuese  (doganë, polici, roje finance) të Ekuadorit, të Portit të Xhoja Tauros ( Itali) dhe doganave malazeze arriti të kapë gati pesë kuintalë kokainë të destinuar për t’u magazinuar në Shqipëri. Besohet se plani i narkosve latino-amerikanë ishte për të magazinuar në Shqipëri jo më pak se dy ton kokainë, e cila më pas do të shërbente për të furnizuar tregun evropian.

Karabinierët e repartit special ROS i kanë vënë prangat 54 pjesëtarëve të Ndrangetës kalabreze, që ishte e përfshirë në këtë trafik armësh luftarake dhe kokaine. Hetimet për këto dy klane të Ndrangetës po koordinohen nga prokurori kalabrez  Federico Cafiero De Raho. Nuk ka lajme për fatin e grupit kriminal shqiptar partner me këto dy klane të Ndrangetës.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/