25 prill 2015 – 200 mijë dollarë për një biletë. Ndeshja e shekullit në boks po thyen kufijtë historikë sepse mbi të gjitha një sfidë e tillë premton ar për xhepat e organizatorëve dhe boksierëve. Pak do të jenë të preivilegjuarit që do të shijojnë live spektakilin në “MGM Arena” në datën 2 maj, pasi shumë prej tyre kanë shpenzuar shuma të frikshme për të siguruar një biletë.

Për ta ndier nga afër zhurmën e grushtit të rëndë të Mayweather-it apo lëvizjet spektakolare të Pacquiaos kushton shtrenjtë, plot 200 mijë dollarë për disa fatlumë. Këto sigurisht që nuk janë shifrat zyrtare pasi çmimi i biletave arrin majat në tregun e zi aty ku njerëzit kërkojnë të përfitojnë sa më shumë edhe pse këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë koleksion kryeveprash, por për një letër të thjeshtë, e cila ndez dritën jeshile për në arenën e boksit botëror.

Gjithsesi, kjo shumë është në linjë perfekte me shifrat e lakuara deri tani pasi fitimet nga kjo përballje llogaritet të shkojnë deri në 300 milionë euro. Çmimet fillestare të biletave shkonin deri në 10 mijë euro, ndërsa më ekonomiket shkonin jo më pak se 1400 euro. Pjesa më e madhe e 16.500 biletave shkuan për organizatorët dhe dy rrjetet televizive që fituan të drejtën për ta transmetuar këtë event.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/