Autoritetet në Londër ka arrestuar 200 persona gjatë një proteste të zhvilluar në Sheshin e Parlamentit, në mbështetje të “Palestine Action”, një organizatë që është shpallur e jashtëligjshme në Mbretërinë e Bashkuar që prej 5 korrikut.

Arrestimet u bënë pasi shumë prej pjesëmarrësve mbanin pankarta dhe slogane që shprehnin mbështetje për këtë grup, gjë që sipas ligjit të ri përbën vepër penale dhe mund të dënohet me deri në 14 vite burg.

Protesta u organizua nga lëvizja Defend Our Juries, e cila njoftoi paraprakisht se demonstrata do të zhvillohej pavarësisht ndalimit. Sipas tyre, në tubim morën pjesë rreth 700 persona dhe ata akuzuan policinë se po përgatitej për “arrestimin më të madh masiv në historinë e saj”.

Policia theksoi se arrestimet po vazhdojnë, pasi disa protestues ende qëndrojnë në shesh me pankarta që përkrahin grupin e ndaluar.

Kjo protestë është një nga disa të tilla që janë zhvilluar pas shpalljes së Palestine Action si organizatë e jashtëligjshme muajin e kaluar. Deri më tani, mbi 200 persona janë arrestuar në lidhje me aktivitete të këtij grupi, ndërsa tre janë zyrtarisht të akuzuar dhe pritet të dalin në gjyq më 16 shtator në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster.

Ndërkohë, një marsh tjetër paqësor i organizuar nga grupi Palestine Coalition, që nuk është i ndaluar, u zhvillua nga Russell Square drejt Whitehall. Edhe aty, policia arrestoi një person që mbante një pankartë në mbështetje të Palestine Action.

Protestuesit në Sheshin e Parlamentit mbanin pankarta me mbishkrime si “Jam kundër gjenocidit, mbështes Palestine Action”. Disa qëndruan në heshtje, ndërsa të tjerë brohoritën slogane pro-palestineze.

Në një reagim zyrtar, Ministria e Brendshme sqaroi se ndalimi i Palestine Action nuk ka të bëjë me mbështetjen për të drejtat palestineze në përgjithësi, por me aktivitetet e veçanta të kësaj organizate, të cilat nuk përfaqësojnë protestuesit paqësorë që ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.