Nga Thanas Mustaqi
DURRËS, 23 maj 2013– Durrës-Kruja ishte njësia administrative nga më vitalet në Shqipëri vitin e kaluar, mbështetur në të dhënat e vitit 2012 të INSTAT-it, “Dyrrah”-u ka bërë përllogaritje demografike mbi vendin që zë qarku në nivel republike.
Gjatë vitit 2012 në qarkun e Durrësit pati 3 453 jetë të reja dhe vdiqën 1 757 persona, me një shtesë natyrore prej 1 696 vetë.
Ndryshe ka ndodhur në qarkun e Gjirokastrës, ku pati vetëm 711 lindje, por “kosa” e vdekjes kishte bërë kërdinë me 839 tilla, me diferencë 128 vetë më shumë në botën tjetër se sa në këtë jetë.
Lindjet
Gjatë vitit 2012, në Shqipëri pati gjithsej 35 295 lindje; 3-mujori më “pjellor” ishte i treti (korrik-gusht-shtator) me 10 207 jetë të reja, ose me 28,9 për qind të totalit vjetor.
Kurse në qarkun e Durrësit pati gjithsej 3 453 lindje që përfaqësonin 9,78 për qind të totalit të Shqipërisë.
Edhe në qarkun bregdetar tremujori më “pjellor” ishte i treti, me 1 042 lindje, që përfaqësonin 30,17 për qind të totalit.
Krahasuar me nivelin kombëtar, kjo përqindje tremujore vitaliteti në Durrës ishte disi më e lartë, plus 1,26 pikë përqindjeje.
Vdekjet
Në Shqipëri vdiqën gjithsej 20 849 vetë, ku 3-mujori më “i zi” ishte i pari (janar-shkurt-mars) me 6 364 vdekje, ose 30,52 për qind e totalit vjetor.
Kurse në Durrës-Krujë ndërruan jetë 1 757 vetë gjithsej; kjo shifër përfaqëson vetëm 8,42 për qind të totalit të vendit.
Gjithashtu tremujori i parë ka qenë më i “përzishmi”, me 521 vdekje ose 29,65 të të gjithë 3-mujorëve të marrë së bashku.
Por tërheqin vëmendjen disa shifra “bombë”: nëse në Durrës shtesa natyrore ishte 1 696, pra më tepër jetë se vdekje, në qarkun e Gjirokastrës (që përfshin edhe Tepelenën me Përmetin), shtesa natyrore ishte negative 128 vdekje më shumë se jetë!
Duke u ndalur në periudhën janar-mars, në Gjirokastër pati vetëm 176 lindje, por 236 vdekje, me një diferencë prej 60, në favor të “kosës”.
Por ka dhe një fakt tjetër kureshtar: në qarkun e Korçës (ku përfshihen dhe Kolonja me Devollin dhe Pogradecin) në tremujorin e parë kishte 111 vdekje më shumë se lindje (643 minus 532).
Shtesë natyrore negative në 3-mujorin “e zi” kishin qarku i Vlorës (ku përfshihen edhe Saranda me Delvinën) me minus 63; Berati (ku përfshihen edhe Skrapari me Kuçovën) me minus 1.
Ky tekst shoqërohet me tri tabela; burimi: Buletin statistikor tremujor 4 – 2012. Drejtor botimi: Dr. Ines NURJA, Punoi: INSTAT, Copyright INSTAT 2013.
/Përpunimi i të dhënave të tabelave dhe komenti: Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





