“Mission Impossible,” Superman” dhe “Avatar” do të kthehen sërish në kinema këtë vit. Këto projekte të njohura kinematografike, por edhe shumë të tjerë po u japin shpresë se rikuperimi i gjatë nga pandemia Covid-19 do të vazhdojë edhe këtë vit.
Pesë vjet pas fillimit të krizës shëndetësore, industria e filmit ende nuk është rimëkëmbur plotësisht.
Shawn Robbins, themelues i Box Office Theory, kompani e cila ofron një shërbim konsultimi dhe kërkimi në analizat sasiore dhe cilësore për biznesin e filmave thotë se pandemia ka ndryshuar zhvillimin e filmit.
“Pandemia dhe transmetimi i filmit ndryshuan në mënyrë të pakthyeshme dhe nuk do të kthehen kurrë si ishin. Megjithatë, ne shohim që filmat vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të suksesshëm dhe se njerëzit duan të dalin dhe të marrin pjesë në një event filmi. Duan ta shohin atë me miqtë dhe familjen. Kjo pjesë nuk ka ndryshuar”, tha Robbins.
Ndër filmat më të mëdhenj që do të vijnë në kinema këtë vit janë “Mission Impossible – The Final Reckoning”, ku mendohet se Tom Cruise do të bëjë paraqitjen e fundit në filmin aksion. “Një herë të fundit,” thotë ai në trailer.
“Ka disa filma të mrekullueshëm që do të dalin këtë vit dhe “Mission Impossible” është një prej tyre ku luan edhe Tom Crusie. Le të themi që ky do të jetë filmi i fundit që do të dalë dhe më duhet të theksoj se filma të tillë nuk po dalin si më para. Asgjë nuk është më njësoj. Do të jetë më mirë se viti i kaluar, por jo aq I suksesshëm sa viti ’23. Është fundi, i një periudhë post-pandemike dhe është fillimi i asaj që unë mendoj se do të jetë një periudhë e jashtëzakonshme tre deri në pesëvjeçare për kinematë në mbarë botën”, tha Tim Richards, Shef Ekzekutiv i VUE.
Gjatë periudhës së muajve të Nëntorit dhe Dhjetorit, do të shfaqen pjesa e dytë e filmit “Wicked”, filmi i ri “Zootopia 2” dhe “Avatar: Fire and Ash”, që është filmi i tretë në serinë “Avatar” të James Cameron. Filmi i parë “Avatar” është filmi me fitimin më të madh të të gjitha kohërave, dhe filmi i dytë renditet i treti.
Robbins parashikon se viti 2025 do të përfundonte me një rritje të lehtë në arkëtimet e brendshme krahasuar me vitin e kaluar, duke synuar rreth 9 miliardë dollarë.
“Objektivi do të jetë rreth 9 miliardë dollarë brenda vendit. Ky do të ishte një përmirësim me rreth 300 milionë nga biletat e vitit të kaluar. Fitimet mbështeten në shumë prej atyre filmave verorë dhe veçanërisht filmave si vazhdimi i ‘Wicked’ dhe ‘Zootopia 2’ dhe filmi tjetër ‘Avatar’ në fund të vitit që do të sjellin fitime mjaft domethënëse”, tha Robbins.
Ndërsa Tim Richards, i cili drejton një kompani kinematografike beson se filmi i ri “Avatar” do të jetë një pikë kthese për industrinë e filmit në botë.
Mendoj se pas 10 ose 20 vitesh do të kthehemi pas në kohë dhe do të mendojmë se në ditën kur doli Avatari ishte një pikë kthese për kinematografinë pasi dhjetori i këtij i viti por edhe viti 2026 pati filma të mrekullueshëm e të jashtëzakonshëm.
Dhe, ka kaq shumë filma që kanë një potencial të madh. Ka një sërë filmash që në fakt mund të shkojnë larg dhe kjo është emocionuese. Por çdo studio e madhe në Hollywood tani është e përqendruar në krijimin e filmave artistik.”
Emrat kryesorë të biznesit të filmit do të mblidhen në konventën vjetore CinemaCon në Las Vegas në fillim të muajit të ardhshëm për të folur për gjendjen e industrisë.
Konferenca tërheq drejtues nga studiot e Hollivudit dhe operatorët multipleks si AMC Entertainment, Cinemark dhe Cineworld si dhe pronarë të teatrove të vetme në qytete të vogla.
Në ceremoninë e çmimeve Oscar këtë muaj, regjisori i filmit Anora, Sean Baker u bëri thirrje kineastëve, por edhe audiencës për të mbështetur teatrot.
Vlen të theksohet se industria e filmit u godit në vitin 2023 kur skenaristët dhe aktorët e Hollywood-it u futen në grevë.
Aktorët hynë në grevë në Korrik të atij viti, duke kërkuar paga më të larta dhe kufizime për përdorimin e inteligjencës artificiale në ekran.
Një episod i tillë ndodhte për herë të parë në 6 dekada dhe ndaloi punën e gjigandëve amerikane të kinematografisë prej 134 miliardë dollarësh.
Kjo protestë e madhe ndikoi në punën e shumë filmave që janë në shesh xhirim dhe shfaqjeve televizive.
Madje edhe eventet kushtuar prodhimeve të reja kinematografike si Emmy u prekën nga mosprezenca e shumë yjeve hollivudianë.
George Clooney dhe personazhe të tjerë të kinematografisë kishin shprehur mbështetje për atë grevë dhe kërkuan një zgjidhje sa më të shpejtë në mënyrë që puna në shumë projekte të rifillonte.
Megjithatë, duket se situata ka kaluar dhe industria është rimëkëmbur.
Këtë vit ndër aktorët më të mëdhenj që do të vijnë në kinema janë “Mission: Impossible – The Final Reckoning”. Filmi do të debutojë gjatë fundjavës së Ditës së Përkujtimit të SHBA në Maj, së bashku me versionin live-action të Walt Disney të klasikut të animuar Lilo & Stitch.
Këtë vit do të shfaqet edhe filmi i Brad Pitt qe luan një pilot të Formula 1, dhe në Korrik, Warner Bros do të publikojë filmin e ri Superman me regji të James Gunn dhe me protagonist David Corenswet.