Aplikimet për azil të shtetasve shqiptarë në Bashkimin Europian e të tjera (BE+) gjatë dekadës së fundit kanë qenë shumë të larta në raport me popullsinë e vendit.
Sipas shifrave të raportit të fundit vjetor të Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO), nga 2010-a (viti i parë që raportohet) deri në 2020-n, në total ka pasur 207.2 mijë aplikime nga shtetasit shqiptarë për azil në Bashkimin Europian + Zvicrën (nuk përfshihen të dhënat për Mbretërinë e Bashkuar).
Numri më i lartë i aplikimeve për azil ishte në 2015-n, me gati 67 mijë persona, duke u përgjysmuar një vit më pas dhe duke u luhatur në nivelet e 20-24 mijë persona në 2017-2019. Në 2020-n, aplikimet u reduktuan ndjeshëm, duke zbritur në rreth 7 mijë, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, që detyroi mbylljen e kufijve (shiko grafikun: Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në BE+).
Të dhënat e EASO i ndajnë aplikimet dhe në minorenë dhe të rritur. Bie në sy numri i lartë i aplikimeve nga minorenët çdo vit, që është mesatrisht një e treta e totalit të aplikimeve dhe 33% për gjithë periudhën.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit për të njëjtën periudhë, Shqipëria mban rekord për aplikimet në numër total.
E dyta është Kosova, me 200 mijë aplikime për azil për periudhën 2010-2020. Shetasit e Kosovës kishin nivele të larta në 2013-2015 dhe më pas u shënua një rënie e ndjeshme (shiko grafikun: Aplikimet për azil nga shtetasit e Kosovës në BE+).
Sebia kishte 177 mijë aplikime në dekadën e fundit, Maqedonia e Veriut 90 mijë, Bosnja 52 mijë, Mali i Zi 12.6 mijë.
Për të gjithë rajonin, periudha 2014-2015 pa një rritje të ndjeshme të aplkimeve për azil në BE+, duke shënuar nivelet më të larta të dekadës.
Në raport me popullsinë aktuale, aplkimet më të larta për azil për dekadën i ka Kosova, për shkak të kërkesave të larta deri në 2015-n (shiko grafikun: Aplikimet për azil 2010-2020).
Për periudhën 2016-2020, rekordin e mban Shqipëria. Në 4 vitet e fundit kërkesat për azil të shqiptarëve ishin sa 3.7% e popullsisë aktuale, kundrejt 1.65% në Kosovë, 1.3% në Maqedoninë e Veriut dhe rreth 0.5% në Serbi, Bosnjë e Mal të Zi, sipas të dhënave të EASO, të përpunuara nga Monitor në raport me popullsinë. (shiko grafikun: Aplikimet pëz azil 2016-2020).
Për shkak se vendet e rajonit konsiderohen të sigurta, pjesa dërrmuese e aplikimeve për azil në vite janë refuzuar.
Cikli i ri i emigracionit që ka përfshirë Shqipërinë vitet e fundit po shkakton probleme në tregun e brendshëm të punës, me shumë sektorë që ankohen për mungesën e punonjësve. /Monitor