DURRËS, 27 maj 2014 –  Pas suksesit të madh të edicioneve të mëparshme të viteve 2012 dhe 2013, Desert Experience organizon një aventurë emocionuese të re për të gjithë të pasionuarit për udhëtime dhe aventura me makina foristrada.

Bëhet e ditur se më 21-29 qershor 2014, do të zhvillohet gara e 5-të ndërkombëtare me foristrada nga Italia në Shqipëri dhe Mal të Zi.

Është hera e tretë që gara zhvillohet në “Vendin e shqiponjave” (në foto: edicioni i vitit 2013, nisur nga qyteti i Durrësit).

Sipas organizatorëve, turi synon zbulimin e bukurive natyrore në Shqipëri dhe Malin e Zi, si dhe territoreve ende të paprekura nga turistët, njohje me historinë, artin dhe kulturën, ku ndihet dhe ndikimi italian.

Të shtunën, më 21 qershor 2014 pjesëmarrësit takohen në portin e Barit për akomodimin dhe organizimin e karvanit dhe imbarkimin në anije drejt Durrësit.

Të dielën në mëngjes, datë 22 qershor 2014, pas kryerjes së procedurave doganore, është programuar nisja nga porti i Durrësit.

Duke kaluar nëpër shtigje malore dhe rrugë të vështira, udhëtimi do të përfundojë në Parkun Kombëtar të Lurës me një sipërfaqe prej 1300 hektarë.

Të nesërmen karvani merr rrugën në veri në një rrugë të paasfaltuar që gjarpëron përgjatë lumit Drin me bukuri spektakolare deri në qytetin e Kukësit.

Karvani nset drejt perëndimit për të mbërritur qytetin e bukur të Shkodrës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/