Nga Anid Bushati

Ky përvjetor i 21 janarit tregoi shumë për debatin i cili ndau në dysh Shqipërinë tetë vite më parë. Dje, qoftë edhe një sy i pavëmendshëm e kishte të lehtë të shikonte se të gjithë ata që ishin me opozitën e djeshme, i kushtuan vend të madh përkujtimit të kësaj ngjarjeje.

Vetë kreu i qeverisë bëri homazhet e zakonshme me familjarët e viktimave në boulevard, ndërsa mediat pranë tij lanë një hapsirë të bollshme, për një nga krimet më të madha të pushtetit që është regjistruar tre dekadat e fundit.

Por, nga ana tjetër mbretëroi një heshtje varri. Berisha dhe Basha nuk guxuan të flasin asnjë fjalë. Ilir Meta përsëriti ritualin e arratisjes jashtë shtetit, për të mos i kujtuar, as bllokun dhe as kokëpalarët. Mediat e tyre “harruan” se kjo ngjarje kishte ndodhur.

Ata që të hidheshin në fyt, për të thënë se demostruestit i patën çuar si mish për top për t’u vrarë, e mbyllën gojën.

Ata që bënin thirrje për t’i varur në palma kundërshtarët, gardistët e fjalës së lirë që justifikonin teorinë e grushtit të shtetit, apo avokatët që mbronin paprekshmërinë e murit të kryeministrisë, i’u feshehën të turpëruar publikut.

Mjafton edhe ky vëzhgim i thjeshtë, për të kuptuar, se cilët qenë në anën e duhur të barikadës para tetë vjetësh.  

Mjafton, kjo distancë e nevojshme kohore, për të vërtetuar se sa hipokritë, gënjeshtarë të paskrupullt dhe servilë të pështirë ishin ata që mbrojtën teoritë konspirative të pushtetit që nga thikat më helm e deri tek ekzistenca e një puçi të presidentit, prokurorisë dhe Shik-ut.

Por, kqyrja e mënyrës se si palët u sollën, dje, me evokimin e këtij krimi makabër, nuk ka vlerë vetëm për historinë. Ajo nuk është vetëm një dekoratë mbi gjokset e atyre që e denoncuan dhe një njollë turpi mbi fytyrën e atyre që u munduan ta fshehin apo ta justifikojnë.

Ajo është, gjithashtu, një gur që rëndon ende në peshoren politike të ditës.

Megjithëse Edi Rama e ka tradhëtuar me kohë 21 janarin; megjithëse ai e ka lënë shumëkënd “zemërthyer” sipas këngës së të ndjerit Dr Flori; megjithëse ai e bëri kryetar shteti njeriun me bllok në dorë për të cilin ngriti popullin në demostartë, megjithëse ai i ka gardistët e asaj dite në forumet e partisë; megjithëse ai mbështetësin më të madh mediatik ka TV Klanin, që publikoi atë videon e vrasjes së Ziver Veizit nga turma, ai pra Edi Rama, ka ende një alibi: atë që e përsërit vend e pavend se nuk është nga ata që marrin jetë për pushtet.

Eshtë e vetmja kredenciale që i ka mbetur pas kriminalizimit të politikës, vjedhjes galopante, shërbimit ndaj oligarkëve dhe përçudnimit të zgjedhjeve.

Natyrisht kjo nuk është meritë që i shplan krimet e tij. Por nga ana tjetër ajo është një njollë e madhe për opozitën, për kredibilitetin, aftësinë vetë kritike dhe reflektimin e saj.

Sepse për sa kohë, PD-ja nuk do të jetë çliruar nga makthet e së kaluarës së afërt ajo nuk do të jetë në gjendje të bindë publikun.

Sepse për sa kohë nuk do të jetë e aftë të bëjë “mea culpa” për vrasjet politike dhe për përlyerjen totale të partisë në mbrojtje të tyre, ajo, do të mbetet si dje, pa tekst.

Fshehja si struci e Berishës, Bashës, Metës dhe e gjithë mbështetësve të tyre këtë 21 janar ishte rrënqethëse. Ajo qe dhurata më e mirë që ata mund ti ofrojnë një Edi Rame në hall.

/Lapsi.al/