TIRANE– Gjykata ka rrëzuar akuzën për vrasje me dashje ndaj ish gardistit Agim Llupo dhe ish kreun e Gardës, Ndrea Prendi.
Në këtë mënyrë, gjykata ka shpallur të pafajshëm të akuzuarit e 21 janarit, bashkë me Prendin dhe Llupon, edhe shoferin e ish kreut të Gardës, Margarit Kume.
Prokuroria e Tiranës kërkoi gjatë pretencës në gjykatë dënimin me 23 vjet burg për ish-komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe 25 vjet burg për ish-gardistin Agim Llupo, i akuzuar si përgjegjës për vrasjet e ndodhura në demonstratën e 21 janarit 2011 në Tiranë.
Sipas organit të akuzës, i pandehuri Ndrea Prendi duhet të shpallet fajtor për vrasjen e Faik Myrtajt, ndërsa i pandehuri Agim Llupo të shpallet fajtor për vrasjen e Hekuran Dedës e Ziver Veizit, si dhe për plagosjen e tre të tjerëve. Për të pandehurin Margarit Kume, ish-shoferin e Ndrea Prendit, prokuroria e tërhoqi akuzën e ngritur ndaj tij, atë të “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Pas 39 seancash shqyrtimi gjyqësor, prokurorët Blerim Tominaj dhe Adriatik Cani paraqitën para gjykatës konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë për dosjen “21 janari”. Për gati një orë e 20 minuta prokurorët lexuan gati 30 faqe material të përgatitur prej tyre, përmes të cilit “riprodhuan” edhe njëherë hap pas hapi çfarë kishte ndodhur më 21 janar. Në përfundim, pasi analizuan faktet referuar provave të paraqitura në proces, prokurorët u shprehën se rezultonte e provuar fajësia e të pandehurve Ndrea Prendi dhe Agim Llupo.
Ndërkohë që akuza i cilëson fajtorë, të akuzuarit janë shprehur se kanë bërë vetëm detyrën.





