Zbardhja e ngjarjes së 21 janarit është konsideruar si një detyrim ligjor për Prokurorinë e Përgjithshme nga deputeti i Durrësit, Osman Metalla, por, sipas tij, mënyra se si po procedon Prokuroria e Përgjithshme tregon për njëanësi. “Prokuroria e nisi këtë hetim me kërkesën për ndalimin e komandantit të Gardës dhe të dy personave të tjerë, ndërkohë që për të treguar se ky proces është i paanshëm, ka kërkuar dhe heqjen e imunitetit te tre deputetëve të opozitës”, pohon Metalla në intervistën për gazetën “Dyrrah”. Njëkohësisht ai e konsideron të drejtë nismën për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu që, sipas deputetit të mazhorancës, paguhet për t’u shërbyer qytetarëve dhe jo për të bërë politikë. Duke folur për politikën lokale, Metalla thekson se të djathtët nuk synojnë bllokimin e punës së bashkisë së Durrësit, por shpërndarjen klienteliste të fondeve.

Vendimet e fundit të Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit kanë provokuar reagime të ndryshme majtas dhe djathtas. Cili është komenti juaj në kushtet kur flitet dhe për ndalimin e komandantit të Gardës?

Ngjarja e 21 janarit ka ardhur sërish në qendër të vëmendjes të opinionit publik dhe është shndërruar në debat të ditës. Së pari dëshiroj të them se më në fund prokuroria vendosi të nisë hetimet lidhur me ngjarjet e tmerrshme të 21 Janarit të vitit të kaluar, ngjarje të cilat janë akoma të freskëta në memorien e qytetarëve të Tiranës por dhe të gjithë Shqipërisë. Mazhoranca ka kërkuar që të nesërmen e asaj dite që të zhvillohet një hetim i plotë për zbardhjen e kësaj ngjarje e cila i mori jetën dhe 4 protestuesve. Mendoj se fillimi i hetimeve është tejet i vonuar, dhe nuk mund të mos mendoj se është një gjë e qëllimshme. Prokuroria e nisi këtë hetim me kërkesën për ndalimin e komandantit të Gardës dhe të dy personave të tjerë, ndërkohë që për të treguar se ky proces është i paanshëm, ka kërkuar dhe heqjen e imunitetit të tre deputetëve të opozitës. Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se përsëri prokuroria po vepron në mënyrë të anshme duke mos qenë aspak objektive në këtë hetim. Në mënyrë që një hetim i kësaj ngjarje të jetë i plotë, duhet të hetohen së pari organizatorët e kësaj demonstrate, dhe të gjithë ata që patën një rol aktiv gjatë zhvillimit të kësaj demonstrate. Mënyra se si organi i akuzës e ka ndërtuar hetimin e kësaj ngjarje tejet të rëndë të krijon bindjen se ky hetim është përqendruar vetëm në zbardhjen e pasojave dhe jo në shkaqet që çuan në këtë shpërthim të paparë dhune. Sidoqoftë, duhet thënë se zbardhja e kësaj ngjarje po bëhet dhe me mbështetjen e ekspertizës amerikane dhe unë gjej rastin të falenderoj SHBA-në për mbështetjen e pakursyer qe i kane dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjithë kohërat. Prezenca e ambasadorit të SHBA-së, natyrisht që është një demonstrim edhe një herë i mbështetjes që qeveria e SHBA i jep Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ngjarja e 21 Janarit për vetë mënyrën se si është zhvilluar, për vetë mënyrën se si kanë reaguar institucionet kryesore të shtetit shqiptar të lë të kuptosh se këto institucione kanë patur një qëndrim të caktuar për këtë ngjarje. Mazhoranca ka shfaqur rezervat e saj lidhur me qëndrimin e këtyre institucioneve, dhe për këtë qëllim ka ngritur dhe një komision hetimor për të hetuar mbi pozicionin e këtyre institucioneve. Mendoj se ky komision hetimor do të dalë me konkluzionet e tij lidhur me këtë çështje bazuar në të gjitha faktet dhe të dhënat e grumbulluara lidhur me ngjarjen.

Tema e 21 Janarit ka ndezur përsëri gjakrat në parlament. A mund të cenojë ky tension marrëveshjen mes palëve për miratimin e ligjeve që ndikojnë direkt në proceset integruese?

Natyrisht që situata aktuale i ka ngritur sërish tensionet ndërmjet dy forcave kryesore politike dhe kjo uroj të mos ketë pasoja në raportet pozitë-opozitë. Sidoqoftë bashkëpunimi ndërmjet pozitës dhe opozitës është vital në arritjen e atyre objektivave madhorë të integrimit të vendit në BE. Ne presim që së shpejti të diskutohet statusi i Shqipërisë si vend kandidat për t’u integruar në BE dhe në këtë kuadër janë dhe një sërë ligjesh që kërkojnë shumicë të cilësuar të votave ndër të cilët do të veçoja ligjin për Gjykatën Administrative, ndryshimet ne Kodin Civil, Penal si dhe ligje të tjera. Unë besoj se dhe opozita tashmë e ka kuptuar se shqiptarët boll kanë humbur kohë dhe se nuk ecet më me bllokime, por duhet t’i çelet rrugë bashkëpunimit parlamentar si rruga e drejtë dhe demokratike për zhvillimin e vendit. Në të kundërt atëherë do të kemi të bëjmë me të njëjtin qëndrim bllokues ndaj reformave integruese që kjo opozitë ka mbajtur në të gjithë këtë kohë. Uroj që kjo të mos ndodhë.

Si e vlerësoni kërkesën e maxhorancës për shkarkimin e nënkryetarit të KLD, z. Kreshnik Spahiu?

Është një kërkesë e drejtë dhe krejtësisht kushtetuese. Unë mendoj se taksapaguesit shqiptarë paguajnë taksa në mënyrë që institucionet të funksionojnë dhe t’u shërbejnë atyre. Në momentin kur funksioni nuk përdoret për atë për të cilën të paguajnë taksapaguesit, atëherë mendoj se është momenti që të lësh funksionin. Për aq kohë sa nënkryetari I KLD-se është përfshirë në një aktivitet politik, mendoj se vendimi për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së është i drejtë dhe në respekt të ligjit.

 

Të jesh i përgjegjshëm për vendimet që merren dhe të bllokosh mendoj se janë dy gjëra larg njëra-tjetrës. Këshilltarët janë zgjedhur në Këshillin Bashkiak pikërisht për të parën, pra për të qenë sa më të përgjegjshëm për vendimet e tyre, në mënyrë që të përfaqësojnë sa me mirë interesat e qytetarëve. Ligji i ri për menaxhimin e territorit, nuk cenon aspak autonominë e pushtetit vendor, por përkundrazi, i ndihmon ato në vendosjen e rregullave më të mirëpërcaktuara për një menaxhim më të mirë të territorit, duke i dhënë fund në këtë mënyrë dhe zhvillimit kaotik të qyteteve

Z. Metalla, ka pasur akuza të forta nga ana e Partisë Socialiste në lidhje me zvogëlimin e fondeve dhe bllokimit të punës së bashkive nga qeveria apo votat e këshilltarëve të djathtë. Deputeti Klosi p.sh. e ka përmendur Durrësin si një shembull të tillë. Cili është komenti juaj?

Nëse është bërë një progres lidhur me pavarësinë e pushtetit vendor, unë mendoj se është bërë në këto vite të qeverisjes së djathtë. Natyrisht që Këshilli Bashkiak ka të drejte të kërkojë një shpërndarje të drejtë të buxhetit të Bashkisë dhe jo një shpërndarje klienteliste, ndaj dhe Këshilli Bashkiak e ka për detyrë që të jetë sa më i përgjegjshëm në vendimet e tij. Të jesh i përgjegjshëm për vendimet që merren dhe të bllokosh mendoj se janë dy gjëra larg njëra-tjetrës. Këshilltarët janë zgjedhur në Këshillin Bashkiak pikërisht për të parën, pra për të qenë sa më të përgjegjshëm për vendimet e tyre, në mënyrë që të përfaqësojnë sa me mirë interesat e qytetarëve. Ligji i ri për menaxhimin e territorit, nuk cenon aspak autonominë e pushtetit vendor, por përkundrazi, i ndihmon ato në vendosjen e rregullave më të mirëpërcaktuara për një menaxhim më të mirë të territorit, duke i dhënë fund në këtë mënyrë dhe zhvillimit kaotik të qyteteve.

Ka pasur akuza nga deputeti i Durrësit, Gazmir Bizhga, se shteti shqiptar nuk ka standarde sigurie për të shmangur probleme elementare si mbytja e një anije në portin e Porto Romanos, duke nënvizuar se çfarë garancie do të ketë nëse do të kemi emergjenca të mëdha në një qytet ku parashikohen nga qeveria ndërtime TEC-esh apo dhe centralesh bërthamorë…

Deklarimi se mbytja e anije turke është tregues se sa e brishtë është infrastruktura mbrojtëse në këtë zonë besoj se është një deklarim krejtësisht politik, pasi nëse do të kemi parasysh se mbytja e anijes nuk erdhi si pasojë e infrastrukturës mbrojtëse në këtë zonë por për arsye të brendshme të anijes, ky deklarim nuk ka sens. Porto Romano është një port me të gjitha kërkesat e sigurisë sikurse është thënë dhe më parë, i ndërtuar me teknologjinë më të fundit dhe në përputhje me standardet e sigurisë. Sikurse e thashë, ky është veçse një deklarim politik i cili ka për qëllim që të krijojë idenë se kjo zonë është e pasigurt dhe se investimet e mëtejshme në këtë zonë do të cenonin sigurinë ë banorëve.