TIRANE – Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh shqetësim për vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila shpalli të pafajshëm të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, të akuzuar për vrasjet në demonstratën e 21 Janarit 2011. 

KSHH, duke iu referuar reagimeve rreth këtij vendimi, nënvizon se “koncepti i gabuar se “kur flet gjykata të tjerët duhet të heshtin” nuk i shërben shprehjes së lirë të mendimit. Diskutimet dhe kritikat, pasi vendimi është dhënë dhe kur nuk kanë për qëllim të denigrojnë gjyqtarët ose sistemin, jo vetëm nuk përbëjnë presion ndaj gjykatës, por në një shoqëri demokratike ato i shërben forcimit të shtetit të së drejtës, prandaj duhet të mirëpriten dhe të dëgjohen me vëmendje.” Për Komitetin e Helsinkit, vendimi i gjykatës është i kritikueshëm dhe bie ndesh me Kushtetutën. 

“Vendimi nxit edhe më tepër dyshime në drejtësinë e tij edhe për faktin se në një çështje kaq të rëndësishme, vendimi u shpall i paarsyetuar, gjë që bie ndesh me pikën 1 të nenit 142 të Kushtetutës, ku sanksionohet se “vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara”- nënvizon KSHH. 

Komiteti i Helsinkit konsideron se gjykata gabon kur i referohet vendimit të Strasburgut për një ngjarje të ngjashme në Itali, pasi sipas KShH-së, në këtë mënyrë ka bërë interpretime subjektive dhe të kundraligjshme. 

“KShH-së i tërheq vëmendjen fakti se në deklarimet e kryesuesit të seancës gjyqësore, veç të tjerave, si argument në dhënien e pafajësisë, u përmend edhe një vendim i Gjykatës së Strasburgut kundër Italisë, lidhur me vrasjen me armë zjarri të një demonstruesi nga një punonjës i policisë. KShH mendon se, gjykata gabon që i referohet këtij vendimi, duke bërë kështu edhe interpretime subjektive dhe të kundraligjshme. Është e vërtetë që gjykatat tona u referohen vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, por këtë e bëjnë për të respektuar parimet bazë të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat ajo i zbaton dhe interpreton. Në rastin konkret Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk ka pasur parasysh faktin se në nenin 1/c “Parime të Kodit Penal” përcaktohet se “zbatimi i ligjit penal me analogji nuk lejohet”.”- përfundon deklarata.