Tiranë, 14 shtator 2014 –  Dy ish drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj, janë vënë nën hetim në lidhje me 21 Janarin 2011.

Dy ish-drejtuesit po hetohen për mos bindjen ndaj urdhrit të prokurorisë së Tiranës për ekzekutimin e 6 mandat-arresteve të lëshuar për arrestimin e efektivëve të Gardës së Republikës pas ngjarjeve të 21 janarit.

Kuliçaj në cilësinë e ish-zv/drejtorit të Përgjithshëm dhe Burgaj në cilësinë e drejtorit, zyrtarisht janë vënë nën hetim nga prokuroria e Tiranës për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Burgaj dhe Kuliçaj, i janë shënuar emrat në regjistrin e procedimeve penale, çka do të thotë se dy ish-policët e lartë janë vënë në hetim për skandalin e refuzimit të ekzekutimit të urdhrave për arrestimin e Ndrea Prendit dhe 5 gardistëve të tjerë, të dyshuar në atë kohë nga organi i akuzës se kishin qëlluar me armë mbi protestuesit e opozitës.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/