Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një konferencë për mediat bëri me dije se sot do të kallëzojë në SPAK ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm, ish-komandantin e Gardës, por edhe të gjithë zinxhirin tjetër komandues të Gardës për ngjarjen 21 janarit 2011. Manja tha se kallëzimi bëhet pas publikimit të një prove të re në lidhje me vrasjen e 4 protestuesve.
“Do të kallëzojmë në SPAK ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm, dhe ish-komandantin e Gardës, por dhe gjithë zinxhirin tjetër të Gardës së Republikës që ka dalë pas publikimit të një prove të re në mediat e vendit. Është ora që SPAK që është kompetente për hetimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të shtetit të bëjë drejtësi për “21 Janarin””.
Sipas Manjës, 21 Janari nuk është hetuar asnjëherë si vrasje shtetërore. Për këtë arsye, ai tha se SPAK i takon që të marrë provën e re dhe të fillojë hetimet.
“21 Janari nuk është hetuar asnjë ditë si vrasje shtetërore. Fakti i bërë publik para pak ditësh tregon qartë që paska pasur një zinxhir komandues dhe urdhërues për të qëlluar mbi protestuesit në datën 21 Janar 2011. Tashmë i takon prokurorisë që ta marrë këtë provë të re dhe të fillojë hetimet një orë e më përpara për vrasje shtetërore. SPAK duhet t’u japë përgjigje familjarëve të viktimave në radhë të parë, por edhe qytetarëve shqiptarë seç ndodhi më 21 Janar kur 4 qytetarë të pafajshëm ditën për diell u qëlluan nga dritaret dhe tarraca e kryeministrisë.
Ish-kryeministri Sali Berisha, çdo ditë për 12 vjet me radhë, edhe sot, ka deklaruar se protestuesit në bulevard i vrau Garda e Republikës, e cila sipas Sali Berishës mbrojti Kryeministrinë nga 4 qytetarë me duar xhepa që sipas atij kishin ardhur ta rrëzojnë nga pushteti. Tani ka një fakt të ri që duhet hetuar në mënyrë objektive nga SPAK dhe që të themi përligj deklarimit e ish-kryeministrit të kohës. Presim që SPAK të thirrë të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje dhe që nuk janë paraqitur asnjë ditë pranë organit të akuzës. Të thërrasë edhe personat e tjerë që do të rezultojnë nga hetimi objektiv i kësaj çështje dhe të zbardhë përfundimisht të vërtetën”, tha Manja.
Sa i përket provës së re, Manja tha i takon SPAK-ut të vërtetojë nëse është apo jo autentike.
“Nëse ka një fakt të ri tashmë që ka pasur komunikime zyrtare në radio në një grup të ngushtë që quhet grupi i zjarrit sigurisht është krim shtetëror. Ne besojmë se SPAK do ta marrë këtë çështje, ta hetojë në mënyrë objektive dhe të gjithanshme dhe kushdo që ka qenë i përfshirë pavarësisht nga pozita e atëhershme apo e sotshme, të përgjigjet para drejtësisë. Ne nuk i hyjmë nëse prova që ka dalë është autentike apo jo, kjo i takon SPAK-ut të japë një përgjigje. E kam thënë para dy ditësh që vrasjet që ndodhën me 21 Janar nuk ka asnjë justifikim. Dhe kushdo që përpiqet t’i justifikojë në opinionin tim bën një tjetër krim. Të thuash që për 21 Janarin nuk është hetuar organizatori, kush i solli, është një alibi e shëmtuar për të barazuar vrasësin me protestues të lirë që ishin në bulevard. Hetohen njerëz me duar në xhepa si organizatorë, ndërkohë ish-kryeministri thotë po, i vrau garda për të mbrojtur godinën e kryeministrisë dhe thotë po të isha sërish prapë do e bëja. Prokuroria do të duhet ta kishte marrë nën përgjegjësi penale Sali Berishën por tashmë SPAK ka sprovën e vet për të treguar se është në pozitën e lartë që i ka besuar ligji dhe për të hetuar këdo të përfshirë. Kallëzimi do të drejtohet në SPAK, kaseta i takon prokurorisë ta administrojë në përputhje me dispozitat e kodit të procedurës penale. Dua ta përmbyll me atë që kam thënë para dy ditësh, nuk mundet kurrsesi urdhërdhënësit, vrasësit, të barazohen me protestuesit e lirë që kanë protestuar dhe do të protestojnë. Të zbardhet plotësisht”, tha Manja.
I pyetur se përse vjen ky kallëzim pa 12 vjetësh, Manja tha: “Sepse sot ka një provë të re të bërë publike, e cila është fshehur për 12 vjet me radhë. Tani në momentin që del kjo provë e re, që duhet ta vlerësojë SPAK, na takon ta bëjmë kallëzimin dhe unë sot do ta depozitoj si ministër i drejtësisë”.