Kryeministri Edi Rama e cilësoi 21 janarin një njollë për drejtësinë shqiptare dhe i bëri thirrje SPAK të bëjë punën e vet për ta zbardhur deri në fund atë që e cilësoi krim shtetëror.
Në podkastin e tij ‘Flasim’, teksa bëri një përmbledhje të ngjarjeve të javës, Rama theksoi se për krimet shtetërore si i 21 janarit drejtësia vonon por kurrë nuk mbeten pa u ndëshkuar.
“15 vjet pas krimit shtetëror të 21 janarit mbetet një plagë e hapur e drejtësinë në Shqipëri dhe themelet e drejtësisë së shtetit shqiptar. Ne e bëmë ritin e nderimit për dëshmorët e atdheut, por familjarët presin drejtësi. Krime si i 21 janarit janë krime shtetërore ku drejtësia vonon por asnjëherë nuk harron, duan kohë të zbardhet, por koha nuk i zhbën dot nga kujtesa. Shpresoj që SPAK, i cili prej 6 vjetësh ka marrë jetë, gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur inkurajimet më të sinqerta për të vendosur drejtësinë në binarët e ri të barazisë para ligjit, të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim, që është një njollë për drejtësinë shqiptare dhe do jetë e pashlyeshme si njollë për SPAK”, tha Rama.





